Sot me rastin e Ditës së Çlirimit të Prizrenit, nën patronatin e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka janë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Landovicë.

Me këtë rast kryetari Haskuka ka deklaruar se kjo ditë ka ardhur si rezultat i sakrificave qindra vjeçare, e cila u kulmua me luftën e lavdishme të UÇK-së.

“Më 12 qershor të vitit 1999, pas një operacioni të suksesshëm me shumë pak pasoja arritëm deri në çlirimin e Prizrenit. Jam përjetësisht mirënjohës ndaj dëshmorëve, veteranëve dhe martirëve të luftës, të cilët iu bënë ballë planeve të egra të forcave okupatore serbe. Shteti jonë bazohet në sakrificën dhe luftën e dinjitetshme të tyre me vlera më të larta njerëzore, e cila nuk ka asnjë njollë në gjithë historinë e tyre!”, ka thënë Haskuka.

Në lagjen Bazhdarhane, përballë Shtëpisë së Bardhë është vënë gurthemeli i memorialit të Ekrem Rexhës – Komandant Drini, ku kanë marrë pjesë edhe anëtarët e familjes së tij, bashkëluftëtarët, veteranët e martirët e luftës, si dhe zyrtarët komunalë.

“Duke theksuar se Komandant Drini është meritori më i madh i çlirimit të Prizrenit, Haskuka tha se “Edhe pse një veprim i vonuar, sot pas 21 vitesh në praninë e anëtarëve të familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij, filluam punimet për ndërtimin e memorialit të Komandant Drinit në qendër të qytetit të Prizrenit, ku të gjithë do ta përkujtojmë jetën dhe veprën madhështore të tij”.”, ka bërë të ditur komuna e Prizrenit.

Haskuka ka njoftuar se shumë shpejtë do të bëhet edhe përurimi i këtij memoriali./21Media