Nga: Petrit Palushi

Anton Pashku mbetet një prej shkrimtarëve me të dallueshëm shqiptarë të shekullit të njëzetë, një lloj fenomeni letrar me një prirje të vazhdueshme drejt përsosmërisë artistike; vepra e tij përmban shumësinë e mendimit, shumësinë figurative të fjalës dhe njëkohësisht vetëdijen e lartë estetike të ngritur deri në model. Vetë shkrimtari pat shënuar se “Gjuha e veprave artistike nuk është dhe nuk mund të jetë një “gjuhë normale”. Ajo nuk është e tillë as atëherë kur, fjala vjen, artisti i fjalës merr e shkruan për “gjërat më normale” nga jeta e njeriut. Shenjat e gjuhës së tij janë shenja të gjuhës poetike. Kur janë të ngjeshura mirë e mirë pranë njëra-tjetrës, këto shenja krijojnë aso relacionesh të reja që mund të kyçin ndër to eksplozionet e panumërta jetësore që kanë intensitete shumë të larta”.

Anton Pashku, shkrimtari modern i letrave shqipe, stilisti i dallueshëm i mëvetësisë, të cilit, pavarësisht nga rrjedha e viteve, s’mund t’i pakësohet a s’mund t’i firojë asgjë prej shkrimeve të tij;  kjo ka të bëjë me aftësinë e artit të mbijetesës, cilësi vetëm e shkrimtarëve të vlerave të veçanta estetike. Ai ka zënë vend në zonën më të epërme të letrave shqipe, aty ku vlerat e vërteta estetike kanë krijuar zonën e tyre të të ekzistuarit, zonën vepruese, të pacënueshme nga zhurma e viteve, nga vepruesit jashtëletrarë, më saktë, nga zhurmuesit e tillë, të cilët kanë vepruar sistematikisht, pavarësisht se pa rezultat,  mbi disa nga përfaqësuesit më të cilësishëm  të letërsisë sonë.

1.

Prej shkrimit të parë në “Jeta e re” më 1955, vepra e tij letrare u formësua si një vepër e identitetit të lartë artistik, kryesisht në prozë dhe në gjininë e dramës: “Tregime”, 1961, “Nji pjesë e lindjes”, 1965, “Kulla”, 1968, “Sinkopa”(dramë), 1969, “Oh”, 1971(botimi i katërt më 1990), “Kjasina”(tregime të zgjedhura), 1973, “Gof”(dramë), 1976, “Lutjet e mbrëmjes”(tregime të zgjedhura), 1976, “Tragjedi moderne”(drama), 1982, ndërsa kompletin e veprave të tij e botoi “Rilindja” më 1986, sipas renditjes: 1. Tregime fantastike; 2.Romani “Oh”;  3.Tragjedi moderne, dhe njëkohësisht duke mos përmendur në këtë paraqitje ribotimet e tjera të librave të tij.

Vepra letrare e Anton Pashkut, është ngritur në lartësinë e tekstit artistik, dhe si i tillë, ky tekst, do parë në të gjitha shtresimet dhe nënshtresimet e tij, për t’u vërejtur sa më mirë dhe sa më plotë mesazhi, vlera e tij kumtuese. Për të arritur në këtë nivel të tekstit artistik, në një shkalle të tillë cilësie, një kuote të tillë vlerash artistike, përveç talentit  dhe shijes shumë të lartë, shkrimtarit i është dashur një regjim i jashtëzakonshëm pune në krijimtari. Sipas një dëshmie “Ai kishte regjim të posaçëm të punës në krijimtari. Antoni ishte shumë i disiplinuar. Kishte kondicion të madh për punë. Punën e bënte me përkushtim të madh, donte që ajo t’i përfundonte sa më mirë. Bie fjala, romanin “Oh”, e ka shkruar në variantin e parë në 800 faqe, më vonë, duke e përpunuar  e duke e ngjeshur tekstin përmbajtësisht, atë e përfundoi në rreth 170 faqe”(Rilindja, 9 nëntor 1996, f.8).

Nga ana tjetër, aty kah vitet ‘80, së bashku me një grup krijuesish të tjerë, ngrihet fuqimisht kundër ideologjizimit të artit, që shkaktoi trandje në krejt mjediset letrare.

2.

Vepra letrare e Anton Pashkut (në tri njësitë: në tregime, në romanin “Oh”, në dramat “Sinkopa” dhe “Gof”, prezenton në mënyrën më të përkryer dramatikën e jetës, pavarësisht nga zhvendosja e saj nëpër kohë të ndryshme dhe duket sikur është një kohë e palëvizshme dhe si e ngrirë, dhe në këtë kontekst, ajo prezenton fatin e njeriut në përgjithësi, si individ apo si kolektivitet njerëzor. Më saktë, ai kundron rrethin ekzistencial të njeriut dhe formëson një tekst të tillë letrar ku mund të nxirren segmente të shumtë kuptimorë. Edhe pse një vepër letrare vështirësisht e kuptueshme, kjo për shkak të intelektualizmit të lartë në procedeun krijues, ajo ka bërë vendin e vet në zonën më estetike të letërsisë sonë, në atë zonë ku letërsia mund të përcillet vetëm letërsi dhe vetëm në funksionin e  saj.

Në veprën e Pashkut ka simbolikë dhe përmes saj kundrohet fati i mjedisit, fati  personazheve; në rast se hiqet mbulesa e simbolikës, mund të kundrohet më me lehtësi kthjelltësia e mjedisit dhe e personazheve. Në veprën e Pashkut, mitet sikur preken, kthjelltohen. Në veprën e tij hetohet atmosfera artistike, një atmosferë krejt sugjestive, me një harmoni a kombinim ngjyrash, që mund të shërbenin si dekor në lëvizjen e jetës dhe vdekjes, dhe natyrisht, këto shumë pranë njëra-tjetrës. Por, më tepër se e ndjenjës, vepra e Pashkut është vepër e mendimit dhe dendësia e saj mbërrin në kufijtë më të dukshëm të maksimales.

Ndërsa, realizimi i një teksti cilësisht të lartë, është arritur vetëm përmes një pune të studiuar imtësisht.  Këtë gjë e ka shpjeguar vetë autori për një nga veprat e tij: “Në dramën “Gof”, për shembull, zbatova matematikën dhe teorinë e  ngjyrave. Mirëpo, së pari, shfletuam të gjitha gazetat e periudhës ‘37-’38-’39. E thithëm krejt atë pluhur. Tek pastaj, fillova të përdor trekëndëshin: kjo vjen deri këtu, kjo tjetra mbërrin deri aty. Saktë e përcaktoja intensitetin e shprehjes…”

3.

Pa kurrfarë dyshimi është mbërritë në mendimin se Anton Pashku mbetet njëri prej stilistëve më të mëdhenj në letërsinë tonë.

Vepra e tij është parë në shumë anë a kënde venerimi, çka flet se kjo vepër është kthyer në një pikë referimi të vazhdueshme. Dendësia e mendimit dhe estetika e lartë e tekstit, ka bërë që shpesh vepra e tij të jetë vështirësisht e kuptueshme, çka tregon gjithashtu se vepra e tij s’është lehtësisht e perceptueshme, siç dëshmon gjithashtu se teksti i tij, qoftë në dramë, në prozë të shkurtër apo dhe në romanin “Oh”, kërkon një rilexim apo një vëmendje maksimale në të lexuar.

Vlerësimet për këtë vepër janë të shumta dhe kritika letrare (kryesisht në Kosovë) e ka ndjekur admirueshëm krijimtarinë e tij ç’prej fillimeve, pavarësisht se një vepër letrare si e tij, ose më mirë, një vepër letrare si e Anton Pashkut, kërkon venerime pas venerimesh. Me të drejtë është konstatuar se “Anton Pashku mbetet Xhojsi i letërsisë shqipe”(I.Rugova); “Përdor metodën e shkrimtarëve të shquem të Perëndimit dhe asht nën ndikimin e tyne. Veprat e e Foknerit dhe Xhems Xhojsit, Tomas Vulfit dhe të tjerëve, ma tepër shkrimtarë anglo-amerikanë, të cilët i ka pasë si lektyrë në takimet e përditshme me librin-kanë ndikuar ma shumë se të tjerët”(H. Mekuli).

Në Shqipërinë e para viteve ‘90, kur në letërsi socrealizmi kish frymë mbizotëruese, as që mund të bëhej fjalë për qarkullimin e veprës së Pashkut: tek-tuk  ndonjë tregim i botuar dhe gjithçka tjetër e mbuloi heshtja.

Sidoqoftë, afërsisht  e njëta gjë edhe në këto 30 vite të hapjes së Shqipërisë, një lloj anatemimi krejt i pashpjegueshëm, cinik: asnjë vepër e tij s’është botuar ende në Tiranë, kur në Prishtinë vepra e tij është botuar dhe ribotuar disa herë, duke përfshirë këtu edhe botimin për nxënësit e shkollave të mesme në kolanën “Lektyrë shkollore”.

Mosbotimi i veprës së Pashkut në Shqipëri, ka bërë që vepra e tij të njihet pak dhe njëkohësisht menjanimi i kësaj vepre të cilësishme, i sjell dëm vetë letërsisë shqipe në radhë të parë. Për shembull, në shkollat e mesme, krijimtaria e tij letrare përfaqësohet vetëm me tregimin “Kulla”, kur tashmë është konsoliduar mendimi mbi vlerat estetike të shumë prej tregimeve të tjera të tij, të romanit “Oh” apo dhe të dramave  “Sinkopa” dhe “Gof”.

4.

Anton Pashku u nda nga jeta më 31 tetor 1995.

Ai la pas një vepër solide letrare, me shfaqjen e saj më të dukshme të modernitetit.

Vepra e tij letrare mbetet njëkohësisht një nga shfaqjet më të dukshme të mjeshtrisë letrare dhe duke pasur në vetvete një prirje të vazhdueshme për kah përsosja e tekstit artistik. Si çdo krijimtari e madhe dhe që dallohej menjëherë prej letërsisë vegjetuese, të përkohëshme, të letërsisë për letërsi, u fut dalngadalë në rrethin e vlerave estetike më të qëndrueshme të letrave shqipe.

Ndërsa, në çdo përvjetor  të vdekjes së A. Pashkut, dy vargje të poetit Mirko Gashit:

“Askush si ti

Nuk i dirigjoi Odën e Gëzimit”,

të shkruar pak ditë mbas vdekjes së A. Pashkut, mund të tingëllojnë a mund të merren si lutje a si përshpirtje për njeriun dhe shkrimtarin ekskluziv të modernitetit të letrave shqipe, ekskluziv për kah fryma letrare, për  kah ndriçimi i fjalëve, i frazës, i figurave, i kuptimshmërisë.

Shkurt, për shkrimtarin që krijoi harmoni artistike në krejt veprën e vet. /Gazeta “ExLibris”