Skuadra e Liverpoolit sonte shënoi fitore 4-0 përballë Wolverhamptonit në kuadër të xhiros së 11-të të kampionatit anglez duke arkëtuar tre pikë të reja.

Salah, Wijnaldum, Matip dhe autogoli i Semedos ia dhuruan një fitore të re skuadrës së drejtuar nga Jurgen Klopp.

Ky triumf nga ana e “The Reds” e bën tejet të komplikuar luftën për titull në Premier League me shumë skuadra që po shihen si pretendente për titullin e kampionit në këtë edicion.

Tabelën e kryeson Tottenhami me 24 pikë, aq sa ka edhe Liverpooli në vendin e dytë, pastaj radhitet Chelsea në vendin e tretë me 22 pikë i pasuar nga Leicester City me 21.

Në vendet pesë dhe gjashtë radhiten Manchester United dhe Manchester City me nga 19, përkatësisht 18 pikë.