Nga: Laura Esquivel
Përktheu: Bajram Karabolli

Sa mirë do të ishte, sikur të gjitha qeniet njerëzore të ishin të vetëdijshme se fjalët që thonë mund të shërojnë ose të sëmurin; se, te miliona njerëz, një fjalë e ëmbël krijon një valë të ngrohtë përkëdhelëse; se fjala e mirë lëshon energji, bashkon, lidh.

Por, çfarë ndodh kur fjala e humbet këtë rol? Kur në vend të bashkimit krijon përçarje, përplasje? Kur ajo përdoret për të shpifur, për të fyer, për manipuluar? Kur nuk pasqyron realitetin dhe nuk mbështet të vërtetën?

Ç’ndodh kur fjala “liri” do të thotë skllavëri? Kur flasim për “demokracinë” dhe instalojmë diktaturën? Kur na flitet për mbrojtjen e sovranitetit tonë dhe ne përfundojnë duke humbur edhe këmishën e trupit? Në këto raste, fjala është si një tingull harpe e cila kurrsesi nuk të bën të vallëzosh, sepse ritmi është i pakapshëm. Është një tingull i arsyes, por pa zemër.

Ishte një kohë kur thënia e fjalës ishte akt i respektueshëm. Në të përfshihej vetë nderi. Njeriu besonte plotësisht në atë që thuhej nga një zotëri, sepse e dinte se, të ndodhte ç’të ndodhte, ajo që ishte premtuar do të përmbushej.

Përkundrazi, tani, fjalët që thuhen nga disa media ose nga shumica e politikanëve, jo gjithmonë shprehin realitetin, madje, shpesh, të kundërtën. Ka media që nuk e përmbushin misionin e tyre për të informuar. Shumica e politikanëve flasin pa folur. Thonë pa thënë. Përdorin fjalë të paqarta, të dykuptimta, për të na mashtruar, për të na ngatërruar, vetëm për të na marrë votën. Kjo është e vetmja gjë që u intereson. Po ashtu, shumë media komunikimi nuk komunikojnë. Janë të interesuar vetëm për lajme të bujshme, sepse ashtu do të shiten më shumë. Qëllimi është që reklamimi në televizion të bëhet më i kushtueshëm, të tërheqë sponsorët e rëndësishëm, të rritet shitja e gazetave dhe revistave. Ajo që ka rëndësi është lajmi dhe jo e vërteta. Fjala në këto raste është si një helm me veprim të zgjatur.