Joe Biden mbajti fjalimin e tij të parë pasi projeksionet e nxorën fitues të zgjedhjeve dhe presidentin e 46 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse. Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. Tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Është koha të heqim dorë nga retorika e ashpër, të ulim zemërimin, të shikojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri. Kjo është koha e shërimit në Amerikë”, u shpreh Joe Biden.

Pa përmendur drejtpërdrejt rivalin e tij republikan, presidenti i zgjedhur Joe Biden zgjodhi t’iu drejtonte dhe një mesazh mbështetësve të Trump.

“Të gjithë atyre që votuan për Presidentin Trump, unë e kuptoj zhgënjimin sonte. Unë vetë kam humbur disa herë. Por tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Populli amerikan dëshiron që demokratët dhe republikanët të bashkëpunojnë, dëshiron që demonizimi në Amerikë të fillojë të marrë fund. Unë do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan sa edhe për ata që më votuan”, përfundoi Biden.