Me homazhe te shtatorja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe me vizitën në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sot në Gjilan filloi rrugëtimin manifestimi kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2021”, që sivjet mbahet për të 30-tën herë me radhë.

Edicioni i sivjetëm i “Flaka 2021”, siç informoi komuna e Gjilanit, që si manifestim mbahet në nderim e kujtim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, nëpër të gjitha periudhat kohore, i dedikohet heroit Kadri Zeka.

Në hapje të manifestimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i  shoqëruar nga delegacioni komunal bëri homazhe dhe vendosi lule te shtatorja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, në qendër të qytetit.

Më pas, delegacioni komunal, i prirë nga kryesuesja e Kuvendit, Shpresë Kurteshi-Emini vizitoi kazermën e FSK-së në Gjilan, ku në emër të kryetarit të Komunës, ajo përgëzoi FSK-në për angazhimin e saj në përmbushje të misionit si ushtri e Kosovës.

Kurteshi Emini tha se sot në këtë ditë të shënuar, në këtë institucion të rëndësishëm biseduan edhe për angazhimet që ka FSK-ja ka në kryerjen e detyrave të parapara, edhe në mbrojte të shtetit tonë.

Kurteshi-Emini tha se sot po ashtu shënohet edhe 37-vjetori i rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, veprimtarë këta të çështjes kombëtare që dhanë kontribut meritor për çlirimin e vendit  dhe për lirinë që po e gëzojmë sot.

Ajo shtoi se “Flaka e Janarit” është një manifestim që ka për qëllim t’i nderojë heronjtë, dëshmorët, veprimtarët tanë që nga koha  e lavdishme e Skënderbeut e deri te historia më e re e Kosovës.

Kurteshi – Emini tha se do të ketë aktivitete të ngjeshura përgjatë periudhës sa zgjatë ky manifestim, i cili për shkak të pandemisë, do të zhvillohet në përputhje me rregullat e parapara, aq sa do të lejojnë kushtet për praninë qytetare, porse organizatori, në këtë rast DKRS-ja sigurisht se do të ofrojë edhe transmetime direkte të aktiviteteve.

Përndryshe, për sot janë paraparë edhe homazhet te Varrezat e Dëshmorëve si dhe ndezja e Flakadanëve te Shtatorja e Heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Teatri i Qytetit, Lapidari te Varrezat e Dëshmorëve – ceremonia kryesore (16:40).

Aktiviteti i radhës do të jetë “Akademia e Flakës”, më 17 janar, në orën 16:00, në Teatrin e qytetit në Gjilan e më pas në orën 17:00, në Galerinë e Arteve do të hapet Ekspozita Kolektive e Arteve Pamore, në kuadër të “Penelit të Flakës”.