Kanë kaluar më shumë se 24 orë kur publikuam lajmin për gjendjen e mjerueshme të Muzeut të Lirisë, apo siç njihet Muzeu i UÇK-së.

Por nga institucionet nuk e panë të arsyeshme që më së paku ta rregullojnë flamurin i cili po bie.

Flamuri kombëtar tek Muzeu i Lirisë, apo siç njihet nga qytetarët Muzeu i UÇK-së është kthyer kokëposhtë dhe është gati për të rënë në tokë.

Qytetarët e Çairit thonë se kanë një respekt të veçantë për këtë objekt, por nuk po mirëmbahet nga institucionet.

Qytetar: “Kjo është një katastrofë. Është dashur me u interesu ndokush nga parlamenti për këtë dhe këto çka janë që i kemi zgjedhur ne”.

Prej sa kohësh është në këtë gjendje?

Qytetar: “Po i ka nja 4 vjet askush nuk interesohet, shihe çfarë është bërë si me qenë mal, në vend se të rregullohet që të vijnë vizitorët me e vizituar”.

Qytetar: “Duhet me e rregullu këtë, ku janë, kujt janë kompetencat duhet me e rregullu.

Nuk është mirë kjo nuk është mirë.

Duhet me e rregullu sigurisht kjo është histori”.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare, Skender Asani, thotë se ky muze është një ndër më të pasurit për shqiptarët në Ballkan, por thotë se problemi është pasi objekti gjendet në pronë private.

“Ai muze është një ndër më të pasurit muze të shqiptarëve jo vetëm këtu në Maqedoni por edhe në Ballkan. Për fat të keq ajo godinë është në pronësi private dhe mendoj që aty është ai defekti që është lënë për shkak të kontekstit institucione dhe ai që e posedon atë shtëpi”, deklaroi Asani.

Brenda objektit qëndron edhe flamuri i Isa Boletinit, ndërsa në muret e muzeut qëndrojnë fotografitë e dëshmorëve të UÇK-së dhe shumë vlera tjera historike./TV21