Me mëngjes zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq dhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq në një prononcim për media, kanë thyer heshtjen zgjedhore. Ndërkohë, sipas VV-së në Podujevë një vëzhgues i LDK-së po mbanë maskën me numrin e kandidatit për kryetar nga kjo parti. Megjithatë, deri më tani në Paneli Zgjedhorë për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nuk është raportuar asnjë parregullësi. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku.

“Deri më tani asnjë subjekt politik apo palë tjetër nuk ka paraqitur ankesë për ndonjë parregullësi eventuale gjatë ditës së zgjedhjeve në këto dy komuna”, ka thënë Desku për portalin rtv21.tv.

Zgjedhjet për kryetar Komune për një mandat një vjeçar  po mbahen në Podujevë dhe në Mitrovicën veriore.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti. Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti. Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, mori dy pozita, atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal. Rakiq ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate./21Media