Reagon Veliu

Reagon Veliu

Pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, është deklaruar Veliu i cili e ka konsideruar këtë vendim tinëzar.

“Qëndrimi im është që ky vendim është i papranueshëm, totalisht i pa arsyeshëm. Është një vendim tinëzar që është marrë pa njoftim pa kurrfarë bisede, është vendim që në pamundësi të marrjes së vendimeve të tjera të duhura për Kosovën, ky merr vendime të tjera të paarsyeshme. Është çmenduri e veprimit të tij politik dhe institucional”, tha Veliu në një përgjigje për KALLXO.com.

Tutje Veliu shtoi se masat të cilat do t’i ndërmarrë Lidhja Demokratike e Kosovës do të shihen ditëve të ardhshme.

“Masat që do t’i merr LDK do t’i mësoni ditët në vijim sepse këto nuk janë çështje individi, por çështje të një partneri të koalicionit që kanë një marrëveshje në bazë të cilës marrëveshje nuk mund të bëhet asnjë shkarkim i asnjë ministri pa konsultim paraprak dhe miratim të kryetarit të pjesës së tjetër të koalicionit”, tha Veliu tutje.

Në fund Veliu foli edhe mundësinë e tërheqjes nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë thash që kjo është çështje e LDK-së, ajo duhet të mbledh organet e saj dhe të vendosë. Nëse mendoj që dëshiron me mbet në koalicion pastaj unë i shqyrtoj poziticionet e mia, nëse mendon me vazhdu në një koalicion që asnjë të mirë vendit nuk ja sjellë të shohim”, tha Veliu.

Kurti sot ka shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu. Ky i fundit mbrëmë në një intervistë televizive u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. LDK-ja ka kërkuar anulimin e këtij vendimi./kallxo.com