FOL: Nga 175 aktivitete të parapara të Qeverisë, janë përfunduar vetëm 60

Lëvizja FOL ka publikuar sot të dhënat nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, tashmë të quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore e Lëvizjes FOL, tha se para se të prezantojmë realizimin e aktiviteteve për secilën ministri, do prezantojmë disa të dhëna sa i përket përmbajtjes së këtij plani.

“Plani Kombëtar për Zhvillim është përpjekja e tretë e Qeverisë Kurti 2 për planifikimin operacional të punës së saj, duke ndërruar formën e planifikimin për secilin vit që nga ardhja në pushtet”, tha ajo, duke shtuar se pikërisht për ketë kanë bërë edhe një analizë të shkurtër të këtij plani. 

“Një nga të metat e mëdha të këtij lloji të planifikimit është vështirësia e zyrtarëve publik për planifikim të mirëfilltë dhe kuptim të PKZH-së, e cila përsëritet për çdo vit”, tha FOL.

“Po ashtu, një nga të metat e mëdha të këtij lloji të planifikimit është vështirësia e zyrtarëve publik për planifikim të mirëfilltë dhe kuptim të PKZH-së, e cila përsëritet për çdo vit”, tha Demolli – Nimani.

Lëvizja FOL ka identifikuar këto të gjetura kryesore:

  • Elementet kryesore të Planit Kombëtar për Zhvillim (tani e tutje: PKZh) janë: qëllimet zhvillimore dhe strategjike të shoqëruar me tregues të ndikimit dhe tregues kryesor të rezultateve, masat strategjike të shoqëruara me tregues të rezultateve, veprimet e shoqëruara me tregues të produkteve, peshimi i masave strategjike dhe veprimeve, afatet kohore, buxheti dhe elemente tjera më pak të rëndësishme.

Plani ka një logjikë rrjedhëse, mirëpo pas analizimit të të njëjtit, vërehet së në fakt planifikimi operacional ka mangësi të tepërta të cilat e bëjnë planin të pa lexueshëm, të pa kuptueshëm dhe që nuk tregon asgjë apo edhe e fsheh zbatimin e vërtetë të PKZh.

  • Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë me Programin Legjislativ për vitin 2023. Për shembull, Ministria e Shëndetësisë në Planin Legjislativ gjithashtu ka paraparë 5 projektligje por asnjëra nuk është përfshirë në Planin Strategjik Kombëtar; Ministria e Drejtësisë në Planin e saj Legjislativ kishte paraparë miratimin e 9 projektligjeve, ndërsa në Planin Strategjik Kombëtare janë paraparë vetëm 8 projektligje; Zyra e Kryeministrit ka parapare miratimin e 5 projektligjeve në Planin Legjislativ por vetëm 1 prej tyre është përmendur edhe në Planin Strategjik Kombëtare.
  • Masat strategjike të PKZh-së janë intervenimet të cilat ndërmerren për një periudhë 3 vjeçare, të cilat shoqërohen me tregues, veprime dhe buxhet përkatës. Sidoqoftë, hartimi i masave nga ana e ministrive nuk ka uniformitet. Mungesa e uniformitetit vërehet në nivelin e masës: në disa raste janë jashtëzakonisht specifike ndërsa në disa raste të tjera janë pothuajse të barasvlershme si vet qëllimi strategjik. E njëjta vlen edhe për nivelin e treguesve. Edhe pse për masa strategjike është dashur të caktohen tregues të rezultateve, ato janë përzier me tregues të produkteve, e në raste të caktuara edhe me ato të ndikimit.

Po ashtu, në shumë raste buxheti mungon dhe nuk dihet se sa shpenzohet për një masë të caktuar për arritjen e treguesve të vendosur. Një nga shkaqet për këtë është mungesa e kapaciteteve analitike për lidhjen e buxhetit dhe shpenzimeve me procesin dhe rezultatet e synuara.

  • E metë tjetër e planit është mungesa e komunikimit të masave strategjike me qëllimet strategjike apo me treguesit e vendosur në qëllimet strategjike. P.sh., Ministria e Drejtësisë orienton masat e saj në politika si koncept dokumentet, strategjitë apo ligjet, ndërsa treguesit kryesor të ndikimit janë tregues për zvogëlimin e kohës për raste në nivele të ndryshme gjyqësore. Edhe pse politika të rëndësishme për ndryshime, të njëjtat nuk komunikojnë me treguesit e qëllimeve strategjike.

Mirëpo, kjo tregon në veçanti mungesën e kuptimit të PKZh-së nga ana e zyrtarëve publikë dhe planifikimin jo të mirë operacional në metodologji dhe formë.

  • Peshimi është zbulimi i ri i Qeverisë në planifikimin operacional, për të cilin nuk ka informacione dhe nuk ka ndonjë shpjegim se pse bëhet apo si kalkulohet. Në këtë plan ne kemi dy raste kur bëhet peshimi: një tek masat strategjike dhe një tek aktivitetet.

Peshimi ka pesë nivele, nga 1 si më e ulëta deri në 5 si më e larta. Mirëpo, edhe në mungesë të shpjegimeve apo formulave/kalkulimeve, vërehet një mungesë e madhe uniformiteti në vlerësime që mund të zbërthehen sipas masave strategjike, veprimeve, institucioneve apo edhe qëllimeve zhvillimore e strategjike.

Ka raste kur një koncept dokument vlerësohet 5 e ka raste kur vlerësohet 3. E njëjta edhe me veprimet tjera më të parëndësishme, ku përfundimi i veprimit nuk ka ndonjë efekt në arritjen e treguesit të rezultateve, e sidomos në treguesit kryesor të rezultateve dhe treguesve të ndikimit. Pra, ka të meta të mëdha në peshim, me aq sa mund të kuptohet nga tabela e PKZh-së.

  • Veprimet janë pjesa kryesore operacionale e PKZh-së ku reflektohen intervenimet që ndërmerr Qeveria për arritjen e synimeve. Në shumë raste veprimet janë jo të nivelit të njëjtë: ka veprime të cilat janë të përgjithshme të cilat interpretohen në forma të ndryshme dhe që matet me tregues të ndryshëm, kryesisht të produktit, që shpesh herë janë ngatërruar me tregues të inputit apo me tregues që nuk tregojnë asgjë.

Ndërsa afatet për veprime janë vendosur se kur ato fillojnë dhe kur përfundojnë. Mirëpo një pjesë e madhe e tyre kanë afate të vazhdueshme për 1 vit apo 3 vite. Pra, fillon në janar dhe mbaron në dhjetor të vitit përkatës, apo kështu përsëriten për secilin vit. Ky është edhe një tregues që veprimet janë veprime jo reformuese por rutinore, të cilat edhe po të mos vendosen në plan, ato do të realizohen nga ministritë.

Ndërkaq Albana Hasani, Hulumtuese e Lartë në Lëvizjen FOL prezantoj realizimin e aktiviteteve për secilën ministri:

Pasqyra e realizimit të aktiviteteve të parapara në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023 nga ana e dikastereve të Qeverisë:

  • MASHT Nga 10 aktivitete të parapara të përfundojnë në tre mujorin e dytë të vitit 2023, 4 prej tyre nuk janë përfunduar.
  • ZKM – Ka planifikuar 47 aktivitete që të përfundohen deri në fund të 3 mujorit të dytë, ndërkaq ka realizuar vetëm 12 prej tyre.
  • MPBZHR – ka planifikuar të realizoj 5 aktivitete nga të cilat i ka përfunduar të gjitha.
  • MSH – ka planifikuar 14 aktivitete prej të cilave i ka realizuar vetëm 8 aktivitete.
  • MKK – ka paraparë vetëm 1 dhe atë e ka realizuar.
  • MZHR – ka paraparë vetëm 1 dhe atë e ka realizuar.
  • MM – ka parapare vetëm 2 aktivitete prej të cilave vetëm një është realizuar.
  • MAPL – ka planifikuar vetëm 4 aktivitete dhe ka realizuar ka realizuar 3 dhe 1 nuk e kanë realizuar.
  • MD – ka planifikuar 14 aktivitete të përfundojnë brenda 6 mujorit të parë. Nga to 5 janë përfunduar, 6 nuk janë përfunduar ndërkaq për dy të tjera nuk kanë ofruar përgjigje.
  • MPB – ka planifikuar 16 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 2.
  • MFPT – ka planifikuar 8 aktivitete prej të cilave i ka përfunduar 6 dhe 2 nuk janë realizuar.
  • MINT – ka paraparë 18 aktivitete prej të cilave 7 i ka përfunduar dhe 10 nuk i kanë përfunduar dhe për 1 nuk kanë ofruar përgjigje.
  • ME – ka planifikuar 5 aktivitete prej të cilave ka përfunduar vetëm 3 ndërkaq 2 nuk janë realizuar ne afatin e paraparë.
  • Ndërkaq këto ministri nuk kanë kthyer përgjigjje: MMPHI(e cila i kishte të planifikuara 15 aktivitete për këtë periudhë), MPJD(e cila i kishte të planifikuara 7 aktivitete) dhe MKRS(kishte paraparë 8 aktivitete). Prandaj aktivitetet e tyre nuk janë përfshire fare në kalkulim.

Në tërësi, në 6 mujorin e parë të vitit 2023 në Planin Kombëtar për Zhvillim është paraparë realizimi i 175 aktiviteteve, prej të cilave kanë arritur të realizohen vetëm 60 nga to brenda afatit të paraparë.

Si përfundim, Lëvizja FOL ka nxjerrë këto konkluzione:

  • Planifikimi i punës së Qeverisë është i pakuptueshëm, i pa lexueshëm dhe metodologjia e përdorur nuk tregon zbatimin e vërtetë, madje në disa raste e fshehë zbatimin e ulët.
  • Metodologjinë e planifikimit të punës së Qeverisë nuk e kuptojnë as vetë zyrtarët publikë të cilët e hartojnë PKZH-në.
  • Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë më Programin Legjislativ për vitin 2023.
  • Qëllimet, masat, veprimet, peshimi dhe buxheti janë të ndërlikuara, të përziera, jo uniforme dhe mungojnë në shumë raste.
  • Elementet e PKZH-së nuk komunikojnë njëra me tjetrën: masat strategjike apo veprimet e propozuara nuk ndikojnë në arritjen e rezultateve të caktuara.
  • Afatet kohore janë të vendosura në atë mënyrë që mund të interpretohen edhe si nisje edhe si mbarim, kur për këto vendosen statistika, gjë që fsheh mungesën e zbatimit apo zbatimin e ulët.

 

Back to top button