​Forumi Ekonomik Shqipëri – Kosovë: Drejt partneriteteve të reja për bizneset

Sot u zhvillua në Tiranë Forumi Ekonomik Shqipëri – Kosovë, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Me këtë rast u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit mes AIDA dhe Odës Ekonomike të Kosovës, i cili synon të krijojë një urë të qartë dhe funksionale për bizneset, duke lehtësuar bashkëpunimin dhe eliminimin e barrierave.

“Ky forum shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mundësive konkrete për bizneset e të dy vendeve”, thuhet në njoftimin për media, transmeton KosovaPress.

Gjatë forumit, u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe nxitjen e investimeve të përbashkëta, si dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve shqiptare dhe kosovare.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vuri në dukje se lidhjet ekonomike të forta janë baza për zhvillim të qëndrueshëm, ndërsa Zëvendësministrja Blerta Rama prezantoi mundësitë konkrete që Shqipëria ofron për investitorët nga Kosova.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi rëndësinë e konkretizimit të bashkëpunimit ekonomik përmes shfrytëzimit të kapaciteteve dhe krijimit të kushteve më të favorshme për bizneset.

“Forumi Ekonomik Shqipëri – Kosovë riafirmon angazhimin e dy vendeve për të zhvilluar partneritete të qëndrueshme dhe për t’u bërë shembull rajonal të bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në komunikatë.

Back to top button