Foshnjës iu thye krahu gjatë lindjes cezariane/ Jovanovska: Nuk bëhet fjalë për gabim

Gjatë lindjes me prerje cezariane foshnja pësoi thyerje të krahut. Për ngjarjen e cila ka ndodhur të shtunën në Klinikën e Gjinekologjisë “Nënë Tereza” Shkup, alarmuan prindërit, të cilët u ankuan në media se nuk u është lejuar ta shohin foshnjën dhe se i kanë fshehur se foshnja ka thyer krahun. Për këtë drejtoresha e Klinikës Viktorija Jovanovska thotë se nuk kanë dashur ta shqetësojnë nënën pa u siguruar, sepse fillimisht nuk e kanë vërejtur se foshnjës i është ënjtur krahu.
“Nuk është e pëlqyeshme menjëherë t’i thuhet nënës, në periudhë kur është operuar, kur duhet të stabilizohet. Nuk është praktikë t’i thuhet nënës se po dyshojmë në diçka por nuk është konfirmuar.”- deklaroi Viktorija Jovanovska – Drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë.
I porsalinduri nuk do të ketë pasoja bën me dije Jovanovksa, e cila shton se kjo ka ndodhur për shkak të sasisë së madhe të lëngjeve amniotike dhe konstruksionit të trupit të nënës, me ç’rast foshnja u përdredh në stomak dhe ishte në pozicion tërthor. Për rastin është formuar edhe një komision për të hetuar të gjitha rrethanat.
“Fillimisht atë që ka konstatuar komisioni është se nuk mund të thuhet se është bërë ndonjë gabim profesional i ekipit të gjinekologjisë ose pediatrisë, të cilët kanë qenë kujdestar me datë 30.”- tha Viktorija Jovanovska – Drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë.
Nëna ka lindur të shtunën, rreth orës 18:00, me prerje cezariane, të cilën e ka bërë mjekja Maja Koteva Mirakovska./TV21