Vdekja më vjen prej syve të tillë, romani i Rexhep Qosjes u botua për herë të parë në vitin 1973 në disa numra të revistës “Jeta e Re, ndërsa më 1974 si libër më vete nga shtëpia botuese Rilindja.

Autori rrëfen jetën e banorëve të Vajazanit, në veçanti për Xhezairin Gjikën, rrëfimi mbi të është realizuar prej tre kënde të ndryshme këndvështrimi. Xhezairi duke veçuar disa nga çastet kyçe të jetës së vet, hedh dritë të fuqishme mbi esencën e raporteve ndërnjerëzore dhe ambientit. Rrëfimi bëhet në dy linja: Në përjetimet e drejtpërdrejta të tij dhe nga frymëzimi që merr nga soditjet që i bën ambientit dhe njerëzve.

Më poshtë një fragment i shkurtër nga libri:

Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, i shpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij. /21Media