FSSHC thotë se nuk është pjesë e grevave të shërbyesve civilë

Kërkohet që çështja e pagave të rregullohet sipas standardeve dhe normave ligjore

Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC) bën të ditur se nuk është pjesë e grevave të thirrura nga sindikatat tjera, që përfaqësojnë një pjesë të shërbyesve civilë.

FFSHC-ja bën të ditur se me kohë ka analizuar çështjet që i prek drejtpërdrejt shërbyesit civilë dhe ka paraqitur dhe kemi dhënë rekomandimet te mekanizmat institucionalë, respektivisht te Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

“Nga këto takime kemi marrë premtime nga përfaqësues të qeverisë dhe të komisionit parlamentar dhe kemi arritur mirëkuptim së bashku edhe me dy sindikatat tjera të shërbyesve civilë, që të rregullohet edhe koeficienti bazë për shërbyesit civilë për ta ranguar koeficientin e pagës për 0.20. Kjo rritje simbolike nuk është e kënaqshme, por në bazë të rrethanave aktuale do të jetë e pranueshme, duke synuar përmirësimin në bazë të ligjit, gjendjen sociale dhe financiare  më të cilën gjenden nëpunësit civilë”, bëhet e ditur në komunikatë.

Në bazë të gjitha zhvillimet aktuale në Kosovë, e konkretisht gjendjen aktuale të shërbyesve civilë, Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë kërkon që të rregullohet sipas standardeve dhe normave ligjore çështja e pagave për të gjithë të punësuarit në institucione.

“Edhe pak ditë kanë mbetur që Projektligji i Pagave do të dalë për herë të dytë në diskutim në Kuvendin e Kosovës dhe ne do të jemi në pritje për të parë se a do të  përfshihen kërkesat tona. Ne paralajmërojmë se nëse nuk merren parasysh kërkesat dhe premtimet e dhëna nga organet vendimmarrëse,  ne do t’i ndërmarrim të gjitha mjetet sindikale (grevat dhe protestat) për t’i realizuar të drejtat të shërbyesve civilë, sepse asnjëherë nuk është vonë për të kërkuar të drejtën legjitime”, bën të ditur më tutje FFSHC.

Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë  bën të ditur më tutje se ka qasjen e vet të trajtimit të të drejtave të shërbyesve civilë, duke u bazuar në normat ligjore aktuale në Kosovë dhe njëkohësisht kërkon nga institucionet vendimmarrëse që t’i trajtojnë dinjitetshëm kerkesat e shërbyesve civilë në raport me të gjithë të punesuarit nëpër institucionet e Kosovës.

Në shenjë pakënaqësie me ligjin e pagave edhe shërbyesit civil të institucioneve qendrore dhe lokale sot kanë hyrë në grevë një orëshe. Mbi 22 mijë nëpunës civil po kërkojnë nivelizim të pagave dhe njohjen e përvojës së punës të shërbyesve civil gjatë viteve 1990-99.

Kujtojmë që sektori i arsimit ka hyrë sot në javën e tretë të grevës, ku po kërkojnë rritje të koeficientit. Për arsye të njëjtë, grevë kanë mbajtur edhe kirurgët./21Media

Back to top button