Furnizimi i shteti serb me arsenal armësh nga Rusia për ekspertët e sigurisë në Kosovë po shihet si kërcënim për rajonin, e në veçanti rrezik për agresion ndaj Kosovës. Prandaj ata kërkojnë që institucionet kosovare të rrisin investimet në infrastrukturën e mbrojtjes.

Javë më parë shteti serb ka marr si donacion nga Rusia tanke të tipit T-72, kurse donacioni përfshin edhe gjashtë aeroplanë luftarakë MiG-29 dhe 30 automjete të blinduara zbulimi BRDM-2.

Nuredin Ibishi, njohës i rrethanave të sigurisë, mendon se furnizimi me këto armë Serbinë e bënë të jetë kërcënim fillimisht për Kosovën por edhe vendet tjera që nuk kanë raporte të mira.

Ibishi thotë se edhe shteti i Kosovës duhet të jetë më i përgatitur politikisht dhe në aspektin funksional që sa më parë të jetë nën ombrellën e NATO-së , pasi në këtë mënyrë do jetë më komod karshi ndonjë agresioni nga Serbia.

“E kemi një disbalancë të forcave në rajon sidomos me një rritje të madhe më shumë se 1 miliardë kohët e fundit që i kanë deklaruar investime në armatim dhe në pajisje luftarake që e bëjnë Serbinë të jetë kërcënues për fqinjët në rend të parë për Kosovën por edhe vendet tjera që nuk kanë raporte të mira. Është një përparësi e jona që ne kemi prezencën ndërkombëtare KFOR-in këtu dhe normal dhe tendencat tona apo kërkesat tona që e kemi FSK-në si forcë të armatosur duhet të jemi edhe në aspektin politik dhe funksional të përshpejtojmë procedurat që të integrohemi në NATO dhe kur nën këtë nën ombrellë jemi shumë më komod…10 Me gjithë këtë arsenal armatimi rrezikon edhe Kroacinë dhe vendet tjera që janë në rajon dhe realisht kjo është një shtytje e jona që ne jemi më të përgatitur edhe politikisht edhe në aspektin funksional”, tha Ibishi.

E për ekspertin e sigurisë, Drizan Shala pajisja e Serbisë me infrastrukturë ushtarake po bëhet me qëllim pasi që shteti serb po tenton të jetë lider në rajon me fuqinë ushtarake.

Por sipas tij kjo e rrezikon Kosovën pasi shteti serb vazhdon të ketë interes ta destabilizojë Kosovën.

“Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë e atakon edhe sigurinë e vendit sepse ne me Serbinë kemi shumë çështje për të biseduar sepse shteti serb nuk na njeh si shtet i pavarur dhe demokratik ka pretendime territorial mbi Kosovën..Kjo mua më lë të nënkuptoj se shteti serb ka interesa të drejtpërdrejta që ta destabilizojë Kosovën përmes ndonjë intervenimi jo klasik, por përmes një intervenimi të strukturave paralele që veçse i ka në Kosovë përmes aktivizimi i grupeve paramilitare, ushtarake të cilat ishin përdorur edhe në Krime nga ana e Rusisë. Sepse Serbia është duke e marr edhe si model Krimenë për të bërë ndonjë plan të invazionit klasik sa i përket intervenimeve në Kosovë“, theksoi ai.

Shala thotë se Kosova krahas rritjes së investimeve në ushtri, duhet të bëjë presion përmes NATO-së dhe shtetet mike që këto armë Serbia mos t’i përdorë.

“Në arenën ndërkombëtare në kanalet diplomatike të kërkoi nga NATO-ja nga shtetet mike që të bëjë presion të vazhdueshëm që këto armatime të mos përdoren përmes sanksioneve të ndryshme ekonomike dhe të tjera, por në aspektin e brendshëm Kosova duhet t’i ndal investimet në infrastrukturën rrugore. Pra, duhet të fokusohemi dhe të kthemi kah investimi kah mbrojtja kolektive sepse Kosova është duke qaluar në këtë aspekt. E kemi një plan gjithëpërfshirës 10 vjeçar të FSK-së dhe forcave të armatosura por ky plan duhet të modifikohet dhe tu përshtatet zhvillimeve aktuale të rajonit. Duhet të shkurtohet duhet një buxhet jashtëzakonisht më i madh”, tha Shala.

Donacioni i armatimit që po vjen në Serbi nga Rusia është pjesë e një marrëveshjeje që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka arritur me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në vitin 2016.

Marrëveshja më pas është miratuar nga presidenti rus, Vladimir Putin./kp