Projekti pritet të përfundojë në fund të muajit prill

Projekti pritet të përfundojë në fund të muajit prill

Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina njofton konsumatorët e qytetit të Fushë Kosovës se gjatë ditës së sotme filloi ekzekutimi i punimeve në vendosjen e tubit, i cili shumë shpejt do t’i furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë pandërprerë.

Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit Prishtina, Ilir Abdullahu tha se ndjehet i gëzuar që më në fund edhe konsumatorët e Fushë Kosovës do të kenë ujë të pijshëm pa ndërprerë dhe nga ata pret që në të ardhmen të bëjnë pagesa të rregullta për shërbimet e ofruara dhe shpenzim racional të ujit të pijshëm.

Punëkryesi i këtij projekti është kompania Alfa, e cila përgjatë një muaji kanë bërë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme teknike në rezervuarin e Shkabaj, ndërsa, sot filloi me vendosjen e tubave.

Tubi është me diametër fi 630 mm dhe me një gjatësi prej 2.2. km, ku uji fillestar do të merret nga fabrika e trajtimit të ujit në Shkabaj.

Kostoja financiare e këtij projekti ka vlerën 378 mijë euro, ndërsa projekti pritet të përfundojë në fund të muajit prill.

Ndryshe, një pjesë e qytetit të Fushë Kosovës deri më tani nuk janë furnizuar me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerë.