Fushtica: S’dihet shkaku i shembjes së rrugës, pronari i ndërtesës u ftua nga Policia

(Lajm i përditësuar)
Fushtica: S’dihet shkaku i shembjes së rrugës, pronari i ndërtesës u ftua nga Policia
Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica tha se po merren “masat fillestare” pas shembjes së një pjese të asfaltit përgjatë një segmenti në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet.
Ai tha se “shkaku ende nuk dihet sepe është ende herët që të flitet”, por shtoi se pronari i një ndëtrtese në afërsi është ftuar nga Policia për intervistim. Ndaj tij, ai tha se “sipas të gjitha gjasave do të inicohet edhe rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
“Shkaku ende nuk dihet sepse është ende herët që të flitet. Policia është në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, me Inspektoratin e Ndërtimit, KEDS-i, ujësjellësi, pra të gjitha ekipet. Për momentin janë duke i marrë masat fillestare të sigurimit të vendit”, tha Fushtica.
“Pronari i ndërtesës është thirrë në Polici për intervistim si shkak i këtij rasti. Relisht, sipas të gjitha gjasave do të inicohet edhe rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, shtoi ai.
Fushtica tha se nesër Inspektorati Ndërtimor “do të dalë në vendin e ngjarjes dhe do të fillojë me masat të cilat duhet të ndërmerren”.
“Rruga do të jetë e mbyllur për një kohë të gjatë. Do t’i marrim të gjitha masat që kjo hapësirë të jetë e sigurt që të mos vijë deri te ndonjë rrezik tjetër”, tha ai.
Fushtica tha se inspektorët e ndërtimit “po e bëjnë vlerësimin e situatës”, kur u pyet nëse po menodjnë evakuimin e banorëve aty.
“Të gjitha ekipet janë këtu dhe për çdo rrezik, nëse ekziston rreziku më i vogël, ne do të marrim masa”.
“Do të vlerësohet nga ekipet e specializuara. Nëse ka nevojë të ketë evakuim, banorët do të evakuohen, por për momentin nuk shihet që ka nevojë përt ndonjë evakuim. Por nëse ka nevojë, patjetër që ne nuk do të rrezikojmë për asnjë moment dhe do ta largojmë çdo qytetar që ndjehet i rrezikuar apo nëse është e rrezikuar ndonjë ndërtesë apo hapësirë tjetër publike”, tha Fushtica.
Për shkak të shembjes, një pjesë e banorëve në disa rrugë të Prishtinës kanë mbetur pa furnizim me ujë, siç njoftoi Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
Pamje kur shembet rruga në Prishtinë, KRU: U dëmtua rrjeti i ujësjellësit, ndërpritet furnizimi në disa rrugë
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për ndërprerje të furnizimit me ujë në disa zona të kreyqytetit për shkak të shembjes së një rruge në kreyqytet që e ka dëmtuar rrjetin e ujësjellësit.
“Për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe dëmtimit të rrjetit të ujësjellësit, furnizimi me ujë është ndërprerë në rrugët e mëposhtme, deri në sanimin e gypit: Rruga “Mehmet Shpendi” Rruga” Bislim Islami” Rruga” Don Stjefan Kurti” Rruga” Kiri” Rruga” Agim Prodani” Rruga “Ymer Bytyqi” Rruga” Visar Thaqi””, thuhet në njoftim.
KRU Prishtina publikoi pamje nga momenti i shembjes së rrugës.
Siç shihet në pamje, rruga është dëmtuar rëndë përgjatë një segmenti të saj, ndërsa poshtë saj duken tubacione dhe instalime të tjera infrastrukturore të ekspozuara.
Në sfond shihen punime ndërtimore dhe një vinç, por nuk dihet nëse dëmtimi mund të lidhet me ndërhyrje në infrastrukturë apo punime në afërsi.
Shembet një rrugë në Prishtinë
Një rrugë në Prishtinë, përkatësisht ajo “Shtjefën Kurti” është shembur. Deri më tani Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim të automjeteve dhe qytetarëve në këtë rrugë, e cila paraqet rrezik për ta.
Përveç policisë, tani në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe udhëheqës të drejtorisë për siguri dhe emergjenca në Prishtinë, inspektor të ndërtimit, kompania e ujësjellësit dhe të tjerë.