Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut firmos kontratë tre vjeçare me Shkëndijën dhe vjen si përforcim për repartin ofenzivë.

KF Shkëndija me kënaqësi komunikon zyrtarizimin marrëveshjes me sulmuesin e krahut, Ljupço Doriev.

Drejtuesit e klubit kanë mbyllur me sukses bisedimet me kryesinë e skuadrës Akademia Pandev, duke angazhuar 24 vjeçarin një vit para skadimit të kontratës me ekipin nga Strumica. Doriev dhe Shkëndija kanë firmosur kontratë tre vjeçare dhe pas testeve mjekësore, reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut menjëherë bashkohet me kuqezinjtë në seancat stërvitore.

“Është hera e parë në karrierë që marr këtë hap për të dalë të luaj jashta Strumicës. Këtu në Maqedoni për mua Shkëndija është klubi më i mirë. Të firmos me këtë klub është hap i madh për mua dhe jetën time. Vij këtu në Shkëndijë për të triumfuar, për të fituar trofe dhe për të shijuar suksese në Europë “, u shpreh Doriev në prononcimin e tij të parë si futbollist i Shkëndijës.