GAP-i rekomandon pensionimin e parakohshëm të shërbyesve civil

 

 

Instituti GAP publikoi sot raportin mbi pensionimin e parakohshëm të shërbyesve civil.

Në raport ky institut shpjegon rregullat dhe procedurat për pensionim të parakohshëm si dhe paraqet të dhëna të detajuara për moshën e shërbyesve civil në të gjitha organizatat buxhetore.

Sipas raportit të GAP-it, shërbyesit civilë përbëjnë 26.7% të të gjithë të punësuarve në sektorin publik, e 7.9% e tyre përmbushin kushtin për pensionim të parakohshëm, pasi kanë kaluar moshën 63 vjeç.

Duke marr parasysh se Kosova ka shkallën më të lartë në Evropë të të punësuarve në sektorin publik në krahasim me numrin e përgjithshëm të të punësuarve, GAP-i rekomandon politika të cilat inkurajojnë pensionimin e parakohshëm dhe moszëvendësimin e atyre pozitave me punonjës të rinj me qëllim të uljes së numrit të të punësuarve në sektorin publik dhe uljen e buxhetit shtetëror për paga dhe shtesa.

Tutje GAP-i shpjegoi se mosha mesatare në shërbimin civil është 47.5 vjet. Nga numri i përgjithshëm i shërbyesve civilë, 14.1% janë mbi moshën 60 vjeçare.

“Sipas Ligjit për zyrtarët publik, pensionimi i parakohshëm fillon nga mosha 63 vjeçare dhe mund të bëhet me kërkesë të shërbyesve civilë ose me vendim të institucionit. Janë 1,091 shërbyes civilë që kanë arritur moshën 63 vjeçare (7.9% e shërbyesve civilë”, thuhet në raport./21Media

Back to top button