GAP: Janë shpenzuar miliona euro të taksapaguesve për ndërtimin e objekteve të pashfrytëzuara

Sot Instituti GAP ka publikua raportin “Qëndrueshmëria e investimeve kapitale të komunave”, përmes të cilit bëhet e ditur se në nivel komunal, një numër i konsiderueshëm i projekteve kapitale nuk janë funksionalizuar asnjëherë, madje përkundër kësaj janë shpenzuar miliona euro të taksapaguesve për ndërtimin e objekteve të cilat nuk janë shfrytëzuar.
GAP në raport ka ofruar shembuj të invetimeve të kryera që nga viti 2000 të cilat akoma nuk janë funksionale.
Ndërsa, raste të tjera përfshijnë ndërtimin e shkollave, që pas përfundimit të ndërtimit është konstatuar që terreni është jo i përshtatshëm për ardhje/vajtje të nxënësve, ose ndërtimin e qendrave mjekësore për të cilat pas përfundimit është konstatuar që nuk ka numër të mjekëve për t’i bërë ato funksionale, e deri të ndërtimi i kontenjerëve nëntokësorë për mbeturina, që vetëm pas ndërtimit është konstatuar që Kosovës i mungojnë automjetet adekuate për tërheqjen e mbeturinave në sistemin nëntokësor.

Sipas GAP këto raste dëshmojnë mos planifikimin e duhur të investimeve madje janë rezultat i ndryshimeve demografike dhe rrjedhimisht, mungesa e nevojës për shfrytëzimin e tyre; mosmirëmbajtja dhe dëmtimi i projekteve pas përfundimit të investimeve; kontestet pronësore; mungesa e fondeve të mjaftueshme për të përfunduar projektin dhe në disa raste pamundësia e komunave për të pranuar staf me pagesë të rregullt, në menaxhimin ose funksionimin e objekteve të caktuara.

Në raportin e Institutit GAP thuhet se arsyet që mund të dërgojnë në investime kapitale të dështuara, në njërën anë, ndërlidhen me mospërfshirjen e mjaftueshme të grupeve të interesit gjatë fazave të projekteve, dhe në anën tjetër, me mosrespektimin e plotë të procedurave ligjore të prokurimit, duke filluar nga hartimi i kontratave me operatorët ekonomikë dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre.

Raportin mund ta gjeni bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar këtu./21Media

Back to top button