Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, tha se tashmë Kosova ka një Qeveri që përfaqëson me dinjitet vendin dhe arrin të ruajë territorin dhe karakterin unitar të vendit.

Gjatë interpelancës në seancën e sotme plenare, Gashi tha se Avdullah Hoti është një kryeministër normal i barabartë me të gjithë kryeministrat e Evropës, e për çka tha se një kryeministër i tillë i duhet Kosovës, e nuk i duhet një Qeveri që ndjell frikë në vend dhe kultivon përçarje në arenën ndërkombëtare.

“Nga një situatë ku kishim kur kryeministri i Kosovës kërcënohej për shtëpia të verdha, të kuqe e të bardha nga kjo foltore e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku thoshte se kishte harta dhe torta me thika mbi tavolinë. Nga një situatë ku kryeministri i Kosovës thoshte se jemi drejt finalizimit të ndarjes së Kosovës, jemi në një situatë shumë më të favorshme për Kosovën. Ku kemi një proces diskutimi mbi bazën e të cilit ka përfaqësim të dinjitetshëm dhe serioz të Republikës së Kosovës. Kur Republika e Kosovës nuk është më e ndarë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por është Republika që përfaqësohet dinjitetshëm dhe Republika, e cila arrin të ruajë territorin dhe karakterin unitar të shtetit. Pra, territori dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës janë elemente të rëndësishme të cilat po arrihen të përfaqësohen dhe të mbrohen denjësisht…Na kujtohet të gjithë neve këtu këto diskutime ku thuhej se vetëm tapa e shampanjës ka mbetur të hapet për ndarje të Kosovës dhe për këtë arsye ish-kryeministri nuk pranonte që të shkonte në vizitë zyrtare në SHBA”, tha Gashi.

Ai tha se muaj më parë Kosova kishte një kryeministër që hezitonte, refuzonte dhe ndillte panik te qytetarët, duke iu referuar në këtë mënyrë Albin Kurtit, i cili nuk pranoi të shkojë në Shtëpinë e Bardhë.

“Për t’i dhënë garanci kryeministrit të kohës ne propozuam një rezolutë ku Kuvendi i shprehte vullnetin politik dhe e njihte si të vetmin aktor dhe faktor negociues në Republikën e Kosovës, kryeministrin e Republikës. Por, prapë kryeministri hezitonte dhe refuzonte të shkonte. Hezitonte, refuzonte dhe mbjelltë panik, po flas për Albin Kurtin, ai thoshte se nuk do të shkoj t’ia bartë çantën presidentit Thaçi se nuk do të marrë përsipër të hap tapat e shampanjave, se nuk do të marrë përsipër dhe t’i aktivizoj thikat mbi tortë, por e vërteta doli ndryshe”, tha ai.

Gashi tha se për këto arsye janë detyruar që të bëjnë një mocion mosbesimi, të bëjnë një qeveri të re dhe të heqin rrezikun e mundësisë së heqjen e trupave amerikane nga Kosova.