Gjatë 24 orëve të kaluara, në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar rreth 33,400 raste të reja të koronavirusit, sipas të dhënave të faqes së statistikave “Worldometers”.

Kështu, numri i personave të prekur nga virusi i ri në shtetin me më së shumti raste në botë shkoi në 2,330,000.

Përveç infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe mbi 570 viktima dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 121,980.

Pavarësisht numrit të madh të infektimeve, presidenti Donald Trump dje ka mbajtur një tubim me mijëra pjesëmarrës. Ai vazhdimisht ka kërkuar që të largohen masat kufizuese dhe të riaktivizohet ekonomia.

Brazili ka tejkaluar shifrën prej 50,000 të vdekurve nga sëmundja Covid-19, që e shkakton koronavirusi, teksa ky shtet i Amerikës Jugore, ka konfirmuar mbi 1 milion e 70 mijë të infektuar nga ky virus.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në këtë shtet janë regjistruar rreth 1 mijë viktima.

Brazili, shteti me popullsinë më të madhe në Amerikën Latine, me rreth 212 milionë banorë, ka konfirmuar rastet e para me Covid-19 më 26 shkurt, dhe ka kaluar shifrën prej 1 milion rastesh më 19 qershor.

Ekspertët thonë se numrat real mund të jenë shumë më të larta, për shkak se në vend ka mungesë të testimeve në masë.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro është kritikuar për shkak të mënyrës se si po e menaxhon krizën. Ai ka kritikuar distancën sociale, duke thënë se ajo është një masë që mbyt vendet e punës dhe është më e rrezikshme se vet virusi.

Spanja ka nisur të rihapë industrinë e saj të turizmit, duke hequr kufizimet për vizitorët nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar.

Të gjithë turistët që do të vijnë, do t’iu matet temperatura në aeroporti, do t’iu merren të dhënat nëse ata kanë qenë të infektuar me koronavirus dhe detajet e tjera personale.

Me heqjen e kufizimeve, Spanja i jep fund gjendjes së jashtëzakonshme, që ishte në fuqi për tre muaj.

Megjithatë, maskat e fytyrës duhet të mbahen në ato vende publike ku distancimi fizik është i pamundur që të mbahet.

Spanja ka regjistruar mbi 293,000 të infektuar me koronavirus dhe 28,300 të vdekur. /21Media