Nëse nuk ofron përkrahje qeveria atëherë rrezikojnë të mbyllen rreth 50 media

Nëse nuk ofron përkrahje qeveria atëherë rrezikojnë të mbyllen rreth 50 media

Instituti i Medies të Kosovës ka kërkuar nga qeveria në detyrë e Kosovës që të përkrah gazetarët me nga 300 euro për 3 muaj, si dhe pronarët e mediave me nga 400 euro. Derisa nga Komisioni i Pavarur i Mediave iu ka kërkuar që mediumet e licencuara të lirohen nga taksa vjetore. Këtë kërkesë IMK e shpalosi në konferencën në lidhje me masat e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur sektorin privat të bizneseve e që po konsiderohet diskriminuese ndaj mediave private të Kosovës.

Kryetari i bordit të Institutit të Medies të Kosovës, Fazli Veliu tha se do ishte jo korrekte që mediat e Kosovës të mos përkrahen nga qeveria në këtë situatë të vështirë pandemie në vend.

Sipas tij, nëse nuk ofron përkrahje qeveria atëherë rrezikojnë të mbyllen rreth 50 media lokale dhe do mbesin pa punë rreth 400 punëtorë.

Si IMK, Veliu tha se kërkojnë nga qeveria që gazetarët t’i përkrah me 300 euro për tre muaj, kurse pronarët e mediumeve me nga 400 euro.

“Do të ishte jo korrekte nëse Qeveria e Kosovës nuk i përkrah mediat në këtë situatë të vështirë në të cilën po kalojmë ne si popull. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të përkrah gazetarët me pagë shtesë 300 euro për muajt mars, prill, maj dhe po ashtu me nga 400 euro pronarët e mediave që kanë obligime ndaj kompanive shërbyese publike nga ATK dhe ndaj kompanive të tjera. Të hiqet taksa e licencës për të gjitha mediat e licencuara në KPM. Puna e mediave në terren jo vetëm që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për punën e tyre, por gjithashtu ata janë duke i rrezikuar edhe familjet e tyre nga një infeksion potencial. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndajnë një buxhet për mediat e Kosovës”, u shpreh Veliu.

Kurse, anëtari i bordit të Institutit, Nexhmedin Spahiu kërkoi nga Komisioni i Pavarur i Mediave që mediat e licencuara të lirohen nga taksa vjetore.

Gjëja më normale për këtë situatë do ishte që për këtë vit mediat e licencuara nga Komisioni i Pavarur i Mediave të Kosovës të lirohen nga obligimi i taksës vjetore, ky është një kontribut që shkon proporcionalisht me të gjitha mediat në Kosovë varësisht prej peshës që ka dhe taksës që paguan dhe është një absurditet i cili ekziston këtu në Kosovë që mediat e Kosovës duhet të licencohen për të punuar në tregun e Kosovës, kurse mediat e huaja futen pa licencë në tregun kosovar dhe ato nuk paguajnë kurrfarë takse… Reklamat kanë munguar tërësisht në shumicën e televizioneve dhe radiove përjashtimisht në disa televizione tà « Prishtinës që u është dhënë reklama për këtë se si të mbrohemi nga virusi korona, faktikisht për muajin mars duhet të jepen pagat, duhet të kryhen obligimet sepse mediat shumica prej tyre kanë funksionuar normalisht, por se të ardhurat janë zero”, tha Spahiu.

Ndërsa, Agron Bajrami, nënkryetar i Bordit të Institutit të Medies të Kosovës, tha se kjo ndihmesë karshi mediumeve nuk është ngarkesë e madhe për kuletën e shtetit.

“Nuk do ishte një ngarkesë shumë e madhe për buxhetin e Kosovës sepse po bëhet fjalë për 400 punëtorë për të gjitha mediat, radio dhe televizione lokale. Si Institut e kemi parë edhe reagimin e shoqatave të gazetarëve të Kosovës, Asociacionit të Gazetarëve. Ne jemi të fokusuar tek mbrojtja e të gjitha të drejtave të gazetarëve, por me fokus të veçantë tek mbrojtja e mediave që janë jashtë fokusit të krejtve për mediat që punojnë në komuna të vogla dhe nëpër fshatra”, u shpreh ai.

Kurse, qeveria në detyrë e Kosovës tashmë ka miratuar pakon emergjente, me vlerë prej 170.6 milionë euro, e cila synim ka ndihmën e bizneseve dhe qytetarëve të dëmtuar nga paraqitja e virusit COVID-19 Në këtë pako nuk janë përfshirë mediat, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga qeveria që të marrë masa për përfshirjen e gazetarëve, fotoreporterëve, kameramanëve në pakon emergjente të qeverisë.