Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim homologun e saj të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Në konferencën e përbashkët Gërvalla tha se janë të shumta temat që i bashkon Kosovën dhe Maqedoninë duke theksuar se të dyja këto shtetet ndajnë interesat e përbashkëta politike e ekonomike për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Gërvalla derisa përmendi rreth 30 marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut shtoi edhe se marrëdhëniet mes të dyja këtyre vendeve është mundësi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.

Gërvalla gjithashtu ka thënë se dizajnimi i ri i kufinjve në Ballkan, siç u shkrua në disa media sllovene, është një ide tepër e rrezikshme që do të nxiste konflikte të reja në rajon.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se Republika e Maqedonisë së Veriut mbështet dialogun Kosovë– Serbi, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Më gëzon fakti që me ministren riafirmuam marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve tona. Kjo është e rëndësishme për qytetarët dyja vendeve. Në frymën e kësaj miqësie sot biseduam për shumë çështje, sidomos për çështjet ekonomike. Tregova për vijimin e punëve të autostradës. Biseduan edhe për çështje me karakter ndërkombëtar, Maqedonia e Veriut përkrahë integrimin e NATO-s, ambicia jonë është integrimi i plotë i 6 vendeve në Bashkimin Evropian për çka jemi të gatshëm t’i tregojmë Kosovës për të gjitha njohuritë tona që kemi”, tha ndër të tjera Osmani.