Gërvalla për zgjedhjet në SHBA: S’ka sinjale për ndryshime të mbështetjes për Kosovën

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk sheh asnjë sinjal që mund të ketë ndryshime lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, qoftë nga Republikanët apo Demokratët.

Në konferencën për media të mbajtur me homologun e saj nga Luksemburgu, Xavier Bettel, Gërvalla ka thënë se miqësia e Kosovës me SHBA-në nuk ndikohet nga zgjedhjet e së nesërmes atje.

Ndërsa për dialogun me Serbinë, ajo ka thënë se nën udhëheqësinë e Miroslav Lajçakut, nuk ka pasur rezultate të dëshiruara.

“Si Republikë e Kosovës që përbën popullin në pro-amerikan në botë, jemi me fat që në SHBA kemi pasur mbështetjen e të dyja kampeve, si ai Demokrat edhe kampi Republikan. Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës. Miqësia me Amerikën nuk forcohet me fjalë, por me punë. Sa i përket dialogut, shpesh kemi paralajmëruar që dialogu i udhëhequr nga Miroslav Lajçak nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara, prandaj shpresoj shumë se komisioni i ardhshëm të fillojë punën sa më shpejt”, ka thënë ajo.

Gjatë kësaj konference ajo ka përmendur edhe sulmin në Banjskë vitin e kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, duke thënë se gabimisht ky sulm po interpretohet si incident i izoluar dhe jo si përpjekje strategjike për okupim territoresh.

Ndërkaq, ministri Bettel ka thënë gjatë konferencës së përbashkët se Kosova ka vuajtur shumë nga vendimet e marrë nga të tjerët dhe se ajo e meriton të jetë storje suksesi.

“Ky rajon ka vuajtur mjaft për vendimet që janë marrë nga të tjerë dhe ju e dini se unë do të kem përgjegjësinë edhe të Komitetit në Këshill të Evropës ku ju së bashku do të punoni për t’i dhënë Kosovës vendin që meriton dhe respektin që meriton dhe gjithashtu mundësinë për të qenë një storje suksesi siç e meriton. Për të qenë anëtar i BE-së është rrugë e gjatë për t’u kaluar”, ka thënë Bettel.

Back to top button