Gërvalla- Schwarz: Po japim fakt e po paralajmërojmë për rrezikun për sigurinë dhe paqen në Evropë

Në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla Swcharz ka përmendur rolin e ish-sekretares së shtetit, Madeleine Albright për ndalimin e luftës dhe gjenocidit në Kosovë. Ministrja e Punëve të Jashtme theksoi se Albright ishte e vendosur dhe e guximshme për t’u përballur me faktet dhe të vërtetat.
Ky forum ka filluar një ditë më parë, ndërkaq punimet e saj do të përmbyllen pasditen e sotme.
Në ditën e dytë të këtij forumi, zëvendëskryeministrja ka hapur punimet me panelin e parë, ku ka folur për rëndësinë e grave në vendimmarrje.
“Nëse më duhej të zgjidhja një person të vetëm që kishte ndihmuar për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë, Madeleine Albright ishte ajo që ndryshoi rrjedhën e historisë për mua. Madeleine, Albright shpëtoi mijëra jetë. Ajo ishte çelësi për t’i dhënë fund një lufte dhe gjenocidi. Ajo mund ta bënte këtë për shkak të kapacitetit të saj strategjik, qëndrimit të qartë ndaj vlerave, energjisë së saj personale dhe aftësisë për të bindur njerëzit. Ajo ishte që bindi Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar, jo vetëm që të qëndronin në gatishmëri, por edhe të vepronin. Ajo ishte politikania më e qartë, më energjike dhe më e vendosur. Ajo kishte analizën e duhur dhe ndërgjegjen për të thënë, mjaft”, ka thënë ajo.
Sipas saj, mobilizimi i potencialit të madh të grave ka të bëjë me barazinë dhe me cilësinë.
“Për sa i përket rrezikut për sigurinë dhe paqen në Evropë, ne po themi përsëri fakte, po paralajmërojmë përsëri, si ata që paralajmëruan për Millosheviçin dhe vitet 1990, dhe ata që paralajmëruan për Putinin dhe shokët e tij nga viti 1999 e në vazhdim. Ne i nxisim të gjithë të dëgjojnë të vërtet, kemi pasur gjashtë luftëra të tmerrshme, madje edhe gjenocid në Ballkan, dhe dhjetëra plane, jo të hartuara këtu, jo me ne, por në zyra, shumë larg këtu. Madaleine Albright ishte ndryshe, ajo e shihte rrezikun dhe kishte guximin të përballej me të tjerët me të vërteta dhe fakte”, ka shtuar ajo.
Ministrja për Zhvillim Social dhe Familje në shtetin e Katarit, Mariam Bint Ali Bin Nasser Al Misnad, ka thënë se janë të përkushtuar në fuqizimin ekonomik dhe politik të grave.
“Shteti i Katarit e ka dëshmuar se mbështet gratë për të eliminuar çdo barrierë. Do të mundohemi të punojmë për t’i avancuar mundësitë për ta ngritur pjesëmarrjen e gruas. Ne besojmë në rëndësinë kritike të aleancave të palëve të interesave për ta avancuar agjendën për gra, për paqe dhe siguri. Përpjekjet e bëra nga Katari që e fuqizon gruan në aspektin ekonomik dhe politik. Unë besoj se shteti i Katarit është i përkushtuar për të zbatuar më tej agjendën për gra, paqe dhe siguri në bashkëpunim me Kosovën për të siguruar paqe dhe jetë më të mirë për të gjithë”, ka thënë ajo.
Ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Kitaroviq në një adresim para të pranishmëve theksoi se gratë duhet të jenë më të përfshira në vendimmarje dhe politikë.
“Ne duhet të punojmë së bashku që këto krime, paraqesin krime lufte dhe të ndëshkohen. Gratë si agjendë të ndryshimeve, gratë kur janë të përfshira në procese paqësore. Gratë duhet të jenë krijues të paqes dhe pjesëmarrëse në vendimmarrje, në politikë, në procese të ndërtimit. Duhet të punojmë përmes Kombeve të Bashkuara që të kemi gratë më shumë në operacione të paqes dhe kjo mund të bëhet përmes trajnimeve të grave. Gjitha këto vendime merren nga burrat por kontributi i grave është i paçmueshëm. Gratë janë më gjithëpërfshirëse dhe kanë më shumë shanse dhe rol të madh edhe duke përfshirë edhe grupe tjera të margjinalizuara”, ka deklaruar ajo.
Ky është edicioni i parë i këtij forumi, i cili ka mbledhur në Prishtinë rreth 500 pjesëmarrës nga mbi 30 shtete të botës.

Back to top button