Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka pritur sot në Prishtinë homologun e saj gjerman, Heiko Maas, me të cilin ka mbajtur takim bilateral dhe e ka falënderuar për vizitën.

Duke i vlerësuar të shkëlqyera raportet në mes të dy vendeve, siJ ka njoftuar ministria, kryediplomatja Gërvalla ka shprehur mirënjohjen e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës për të gjithë kontributin dhe ndihëm që Gjermania i ka ofruar Kosovës, nëpër të gjitha fazat e shtetëndërtimit.

Gjatë takimit, dy ministrat janë fokusuar në diskutime lidhur me marrëveshjet bilaterale në mes të dy vendeve, me ç’rast kanë vlerësuar se duhet të thellohet bashkëpunimi në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, arsimin e shkencën.

Kosovës është thënë se do t’i ofrohet përkrahje për thellim të bashkëpunimeve bilaterale edhe në raport me shtetet e tjera të BE-së.

Gjithashtu është diskutuar për marrëveshjen për njohjen e patentë-shoferëve, e cila është afër përmbylljes, si dhe është nënvizuar edhe roli i diasporës shqiptare në Gjermani, ku mbi 400 mijë shqiptarë është thënë të jenë të integruar mirë në shoqërinë gjermane.

Pala gjermane ka shprehur gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës sa i përket reformave të brendshme, por edhe për shërbimin e saj të jashtëm.