Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, ka vizituar sot ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Tekniku italian ndodhet në Shqipëri prej disa ditësh pasi kombëtarja e Azerbajxhanit, skuadra që ai drejton aktualisht, luajti të martën ndaj Qipros në stadiumin “Elbasan Arena”.

Pasi u njoh nga afër me projektin, por edhe me investimin e bërë deri më tani, De Biasi u shfaq i impresionuar dhe vlerësoi maksimalisht punën dhe vizionin e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Ky është projekt vërtetë madhor dhe mund të them se është bërë një punë e shkëlqyer. Kur e krahasoj me fillimet e mia në Shqipëri, ka një ndryshim shumë të madh dhe pozitiv veçanërisht në drejtim të infrastrukturës. Ndihem vërtetë mirë të shikoj këto investime dinjitoze”, tha Gianni De Biasi.