Giresse thotë se lodhja e solli humbjen

Kombëtarja e Kosovës u gjunjëzua sot si mysafire e Irlandës së Veriut, ku u mposht me rezultat të ngushtë 2:1, ndeshje kjo e cila ishte e vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Kombeve.
Humbja e sotme ishte e dyta me radhë për “Dardanët” në këto kualifikime, ku në qershor u mposhtën nga Greqia me shifrat 2:0.
Golat për irlandezët veriorë i shënuan Whyte dhe Magennis, kurse për Kosovën golashënuesi i vetëm ishte Vedat Muriqi.
Pas ndeshjes, trajneri i Kosovës, Alain Giresse tha se nuk e meritonim humbjen, por rastet që nuk i shfrytëzuan lojtarët janë shkak i situatës në të cilën gjendet kombëtarja.
“Rezultati është ky, e pamë ndeshjen. Nuk e merituam humbjen duke e marrë parasysh lojën që e bëmë, por ky është futbolli”, tha Giresse.
“Më vjen keq për rastet e shumta që nuk i konkretizuam. Është pjesa teknike dhe reagimi jo i mirë pas atyre rasteve të humbura. Nuk i shfrytëzuam rastet, prandaj jemi në këtë situatë”, shtoi më tej trajneri francez.
Po ashtu, Giresse tha se duhet për të punuar në aspektin mbrojtës, ndërsa ishte lodhja ajo e cila na e solli humbjen.
“Ishim të lodhur në fundin e lojës, një gjë e tillë solli humbjen. Kur flasim për golat që pësojmë, gjithmonë ka punë për të bërë. Nuk flas vetëm për golat që pësuam sot”, tha Giresse.
“Padyshim duhet bërë punë në aspektin mbrojtës, por duhet t’i keni parasysh edhe mungesat që patëm për shkak të dëmtimeve”, shtoi më tej trajneri i Kosovës.
Ndeshja e radhës për Kosovën do të jetë më datën 27 të këtij muaji, ku në rolin e vendasit e pret në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kombëtaren e Qipros.

Back to top button