Gjakova e Krasniqi premtojnë medalje edhe në Lojërat Olimpike Parisi 2024

Akil Gjakova dhe Distria Krasniqi u shpallën sportistët më të mirë të vitit 2023 nga Komitetit Olimpik i Kosovës në ceremoninë e laureatëve të zhvilluar të mërkurën.

Para tyre, si trajneri më i mirë u shpall njeriu që iu priu sukseseve të Distrisë dhe Akilit, Driton Kuka. Ai theksoi se viti 2023 ishte tejet i veçantë pasi që përjetoi emocione të mëdha në Evropianin e Xhudos që u mbajt në Prishtinë.

“Viti 2023 më ka sjellë një ndjenjë më ndryshe, kampionati i parë evropian në Kosovë. Të them të drejtën ulja në karrige para tifozëve, para njerëzve më të dashur pak më e vështirë se në garat tjera. E kam potencuar disa herë që për mua ka qenë më e vështirë të ulem në karrige në finalen e Akilit në Prishtinë se sa në tri finalet e Lojërave Olimpike…Jemi ën vit olimpik, dhashtë Zoti këtë vit, punë do të bëjmë shumë, na duhet pak edhe fati sportiv që nga Parisi të kthehemi me medalje olimpike”, tha Kuka.

Nga ana tjetër, Akil Gjakova vitin 2023 e cilësoi si më të mirën në karrierën e tij, por premtoi se do të punojë fuqishëm që të shënojë sukses të madh edhe në Lojërat Olimpike Parisi 2024.

“Është një ndjenjë shumë e veçantë për të disatën herë të shpallem sportisti i vitit. Për mua viti 2023 pas shumë vështirësive do ta cilësoj si një nder vitet më të mira në karrierë duke e përmendur Kampionatin e Hapur Evropian në Prishtinë, kam pasur shumë emocione edhe po besoj që do të jenë momente të paharrueshme…Unë me trajnerin tim dhe me gjithë shokët dhe shoqet e klubit, me shumë përkushtim dhe bindje do të mundohemi ta sjellim Kosovën në piedestalin më të lartë në Lojërat Olimpike”, tha Gjakova.

Kurse, Distria Krasniqi, sukseset e saj ia dedikoi trajneri Driton Kuka duke thënë se pa mbështetjen e tij nuk do t’i arrinte këto rezultate.

“Një falënderim për trajnerin tim i cili gjithmonë më ka udhëhequr drejt sukseseve edhe ndihem shumë me fat që kam përkrah një trajner të tillë kaq të përkushtuar dhe pa të cilin këto suksese nuk do të ishin të mundura. Gjithashtu jemi në vitin olimpik dhe jemi duke u përgatitur shumë dhe shpresoj që do ta kemi një paraqitje të mirë ashtu sikur e kemi pasur në Tokio dhe i uroj suksese të gjithë ekipit olimpik”, tha Krasniqi.

Back to top button