Dinarama është shprehur se te rastet e reja, të cilat janë pranuar  është zbatuar masa e izolimit prej 14 ditësh

Dinarama është shprehur se te rastet e reja, të cilat janë pranuar  është zbatuar masa e izolimit prej 14 ditësh

Izolimi në shtëpi si masë parandaluese ndaj COVID19 po shihet si veprimi më i sigurt në këtë periudhë pandemie, por për viktimat e dhunës në familje qëndrimi mbyllur po paraqet rrezik.

Kjo si dhe gjendja jo e mirë ekonomike po shihen si faktorë, të cilët po ndikojnë në shtimin e rasteve të dhunës në familje. Madje këto raste janë shtuar edhe në vendet tjera në botë për çka kanë reaguar edhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Që nga dita kur ka nisur masa për qëndrim në shtëpi në strehimoren “Shtëpia e Sigurt”, në Gjakovë janë pranuar katër raste të reja. Kjo strehimore, e cila ka qenë ndër të parat dhe aktualisht më e madhja në vend, strehon nënat me fëmijët e tyre, të cilët janë viktima të dhunës në bazë gjinore.

Drejtoresha e kësaj strehimoreje, Erblina Dinarama ka thënë për KP se në këtë qendër ku aktualisht janë të strehuar 19 persona, i kanë ndërmarrë të gjitha masat parandaluese ndaj pandemisë koronavirus.

“Jemi duke vazhduar punën 24 orë, stafi është duke punuar. Ne momentalisht kemi 19 raste, 9 fëmijë dhe 10 gra dhe gjatë kësaj periudhe kemi pranuar 4 raste të reja të cilat të gjitha janë me shëndet të plotë dhe situata është nën kontroll të plotë. Ne i kemi marrë të gjitha masat e duhura të cilat janë rekomanduar nga Ministria e Shëndetësisë dhe jemi pajisur me maska, dezinfektues, doreza dhe kemi dezinfektuar shtëpinë”, ka theksuar ajo.

Përkundër që strehimorja “Shtëpia e Sigurt” është qendra e vetme në Kosovë që vepron si “strehimore e hapur” dhe gratë aty kanë mundësi të dalin dhe të punojnë, në këtë kohë kjo gjë është pezulluar si masë e paradalimit të përhapjes së COVID-19.

Dinarama është shprehur se te rastet e reja, të cilat janë pranuar në këtë kohë është zbatuar masa e izolimit prej 14 ditësh dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

“Sa i kemi pranuar rastet i kemi vendosur në dhoma të ndara veç dhe nuk kanë pasur kontakt direkt me rastet e tjera në strehimore. Për momentin ato e kanë kaluar masën e karantinimit prej 14 ditëve dhe gjendja e tyre shëndetësore ka qenë nën mbikëqyrje dhe kanë marrë medikamentet e nevojshme. […] Pas vendimit të qeverisë së Kosovë të gjithë fëmijët dhe gratë janë të izoluar dhe tashmë puna është edhe më e vështirë por besoj që së bashku do ia dalim dhe do e kalojmë më lehtë këtë periudhë”, ka deklaruar ajo.

Përkundër këtyre rasteve të reja të pranuara, drejtoresha e “Shtëpisë së Sigurt” në Gjakovë ka thënë se dhuna në familje nuk është duke u raportuar aq shumë. Kjo pasi tashmë me masën e izolimit janë zvogëluar mundësitë e raportimit të dhunës nga frika e reagimit edhe të dhunuesit, i cili qëndron në shtëpi gjatë gjithë kohës.

Ajo ka sqaruar edhe arsyet e shtimit të dhunës në familje në këtë kohë izolimi.

“Kufizimi i lëvizjes çonë direkt në dhunën në familje pasi që gratë dhe fëmijët tani janë duke qëndruar me dhunuesin dhe kushtet ekonomike, përdorimi i rrjeteve sociale, përdorimi i telefonit të gjitha janë nën kontroll të dhunuesit dhe viktima në këtë rast nuk ka zgjidhje se ku të kërkojë ndihmë”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e strehimores “Shtëpia e Sigurt” në Gjakovë ka kërkuar që personat që pësojnë dhunë ta raportojnë atë tek organet kompetente.

Që nga marrja e vendimit nga qeveria për qëndrim në shtëpi në rajonin e Gjakovës janë raportuar gjithsej 16 raste të dhunës në familje. Këto statistika janë bërë të ditura për Kp nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë.

Rreshterja, Lirije Podrimaj Beqiraj ka njoftuar se prej këtyre rasteve, 12 janë dërguar me kallëzime penale në Prokurorinë kompetente, dy raste janë dërguar në Gjykatën Themlore në Gjakovë dhe dy janë nën hetime.

“Për periudhën në fjalë në tri stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë (Gjakovë, Rahovec, Malishevë) janë raportuar 16 raste të dhunës në familje. Të gjitha rastet e raportuara janë iniciuar nga policia, janë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme operative hetimore, të bazuara në ligj. Prej tyre 12 raste janë dërguar me kallëzime penale në prokurorinë kompetente. Dy raste janë dërguar në Gjykatën Themelore në Gjakovë. Dy raste janë nën hetime”, është bërë e ditur në përgjigjien me shkrim.