Instituti EPIK në publikimin e radhës “VITI MË I MIRË: Statistikat për Vizë Shengen për Kosovën 2019”, ka gjetur se 80 përqind e qytetarëve të Kosovës u pajisen me vizë në vitin 2019.

“Në vitin 2019, gjithsej 108,774 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Shengen. Nga ta 88,448 kanë marrë një të tillë. Kjo shënoj rekordin historik për nga numri i aplikimeve dhe aprovimeve të vizave Shengen për qytetarët e Kosovës. Me fjalë të tjera 80% e qytetarëve të Kosovës që kanë aplikuar për vizë kanë pranuar një të tillë, apo thënë ndryshe 8 nga 10 qytetarë që kanë aplikuar kanë marrë vizë Shengen.”, thuhet në njoftim.

Sipas publikimit, krahasuar me vitin 2018, gjatë vitit të kaluar qytetarët e Kosovës kanë kërkuar 17% më shumë viza Shengen, ndërsa kanë pranuar 19% më shumë viza Shengen.

EPIK njofton se vendet ku qytetarët e Kosovës kanë dorëzuar më së shumti aplikacione për vizë janë: Gjermani me 43,863 aplikacione, nga të cilat u miratuan 36,069; Zvicër me 39,545 aplikacione, nga të cilat u miratuan 31,735; dhe Greqi me 7,604 aplikacione, nga cilat u miratuan 7,412.

Kurse sa i përket refuzimit të vizave, shkalla e refuzimit ishte më e lartë në Finlandë, ku shënoj 35.8% dhe Slloveni ku shënoj 30.7%. Ndërsa, shkallë më e ultë e refuzimit të vizave ishte në Greqi me vetëm 2.1%.

“Edhe pse shkalla mesatare e refuzimit të vizave Shengen në vitin 2019 prej 18.8% është ende e lartë, ajo shënoj nivelin më të ultë historik për Kosovën. Në vitin 2019, Kosova është ranguar në vendin 53 në botë për nga shkalla e refuzimit të vizave – që është një përmirësim prej 14 vendeve krahasuar me vitin 2018.”, thuhet më tej në njoftim.

Në publikimin e EPIK nënvizohet që Kosova ende rangohet më keq se vendet sikur Uzbekistani, Burkina Faso apo Libani.

“Shkalla e refuzimit të vizave përbënë një nga indikatorët kyç në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Rrjedhimisht, kemi krahasuar shkallen e refuzimit të vizave për Kosovën me dy kategori të vendeve: (1) vendet që kanë kaluar të fundit në procesin e liberalizimit të vizave (Gjeorgjia dhe Ukraina); dhe (2) vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë kaluar të fundit në procesin e liberalizimit të vizave (Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina).
Regjimi i vizave për Gjeorgjinë dhe Ukrainën është hequr në vitin 2017, ndërsa për Shqipërinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën në vitin 2011. Rrjedhimisht, për qëllime krahasimi ne kemi përdorur të dhënat e vitit 2016 në rastin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, ndërsa të dhënat e vitit 2010 për Shqipërinë dhe Bosnjën. Në vitin 2016, Gjeorgjia ka pasur shkallen e refuzimit të vizave prej 12.2%, ndërsa Ukraina prej 3.2%.

Nga ana tjetër në vitin 2010, Shqipëria ka pasur shkallen e refuzimit të vizave prej 15.09%, ndërsa Bosnja prej 5.72%. Në këtë drejtim, në vitin 2019 shkalla e refuzimit të vizave për Kosovën prej 18.8% është dukshëm më e lartë se vendeve të fundit që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave. Duke pas parasysh shkallen e refuzimit të vizave për Kosovën është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të adresojnë shkaqet e nivelit të lartë të refuzimit të vizave.”, thuhet në publikimin e institutit EPIK.

Më tej bëhet e ditur se gjatë periudhës 2014-2019 për vizë Shengen kanë aplikuar gjithsej 522,343 qytetarë të Kosovës, ndërsa 415,766 kanë pranuar një të tillë. Me fjalë të tjera 80% e atyre që kanë aplikuar kanë pranuar vizë Shengen në periudhën 2014-2019.

“Në kuadër të këtij publikimit janë përdorur të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshëm të Komisionit Evropian për Migrim dhe Çështje të Brendshme (DG HOME).
Publikimi i sotëm është vazhdimësi e serisë së publikimeve tona me fokus në migrimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së:
– Statistikat e azilit në BE (prill 2019); Ikja e Madhe (prill 2019); Destinacioni Shengen (maj 2019); MIGRIMI I BALLKANIT DREJT BE-SË: dhe rasti kurioz i Shqipërisë (nëntor 2019); Aplikacionet për azil në BE nga Ballkani Perëndimor 2009-2019 (qershor 2020)”, thuhet në njoftim./21Media