Kryetari i Këshillit të fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, ka njoftuar se pas gjetjeve të mbetjeve mortore të një personi në varrezat e komunës së Rahovecit edhe në lagjen Tusus të Prizrenit është gjetur një mbetje mortore.

Hoti përmes llogarisë së tij “Facebook”, ka thënë se trupi i gjetur fillimisht në Rahovec, ishte varrosur nga policët serbë gjatë ofensivës në fillim të majit 1999.

Bëhet e ditur se trupat do t’u dërgohen Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim dhe pastaj do iu dorëzohen familjarëve për rivarrim.

“Sot ekipi i Mjeksisë Ligjore në bashkëpunim me Policinë për Krime të Luftës dhe Prokuroren e rastit, të prirë nga zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, fillimisht në Rahovec gjetën një trup i cili ishte varrosur nga policët serb gjatë ofensivës serbe në fillim të majit 1999 dhe më pas edhe në lagjen Tusus në Prizren.
Trupat do të dërgohen në morgun e Mjekësisë ligjore në Prishtinë për ekzaminim dhe më pas ju dorëzohen familjeve për rivarrim dinjitoz!
Falënderoj Komisionin Qeveritar për Persona të zhdukur, ekipin e Mjekësisë Ligjore, Prokuroren e rastit dhe Policinë e Kosovës për kontributin e tyre të vazhdueshëm në gjetjen dhe identifikimin e familjarëve tanë të vrarë në mënyrë qyqare nga Serbia!”, ka shkruar ai.

Me këto dy lokacion përfundojnë gërmimet për sivjet, meqë kushtet atmosferike tashmë përbëjnë vështirësi në punën e gërmimeve në teren. Në pranverë pritet të vazhdojnë gërmimet në Kizhevak dhe Shtaval të Serbisë./21Media