Gjendja e pacientëve të helmuar në Malishevë është stabile

(Lajm i përditësuar)


Gjendja e pacientëve të helmuar në Malishevë është stabile

Gjendja e pacientëve të helmuar, aktualisht është stabile dhe situata është në kontroll dhe e menaxhueshme, njofton Komuna e Malishevës

Bëhet e ditur se pas orës 21:00 drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha, i shoqëruar nga drejtori i QKMF-së, Afrim Krasniqi dhe asamblistët Valon Mazreku dhe Halil Morina, i kanë vizituar pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Sipas drejtorit Berisha, bazuar edhe nga të dhënat e klinikës, gjendja e pacientëve është stabile dhe janë duke u trajtuar nga personeli i klinikës.

Aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë 12 pacient, ndërsa numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Malishevë është 39.

“Te gjitha ekipet relevante janë të mobilizuar për menaxhimin e situatës dhe personeli shëndetësor në QKMF është në gatishmëri të plotë për të ofruar shërbimet e nevojshme. “, thuhet në njoftim


Rreth 30 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në Malishevë

Komuna e Malishevës njofton se dyshohet se mbi 30 persona janë helmuar nga ushqim.

Sipas njoftimit situata është menaxhuar mirë nga ana e personelit shëndetësor në Malishevë dhe organeve përgjegjëse komunale e organeve tjera përgjegjëse si AUV dhe policisë.

“Sipas drejtorit për shëndetësi, Hajdin Berisha, situata është menaxhuar më sukses dhe situata është në kontroll të plotë.

Disa nga të infektuarit janë udhëzuar për QKUK në Prishtinë dhe në spitalin e Prizrenit.Ekipet relevante janë në terren dhe po merren me menaxhimin e situatës. “, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button