Pas propozimit, i cili rrodhi nga seanca e djeshme e Këshillit të Sigurisë për shpallje të gjendjes krize prej 30 ditësh, partitë politike në Maqedoninë e Veriut me qëndrime të ndara. Opozitarja VMRO-DPMNE dyshon se pas kësaj gjendje krize qëndron tentativë për përfitim.

“Dyshojmë se kjo gjendje krize, sidomos në sektorin shëndetësor, për dikë mund të sjellë përfitim, e për dikë, respektivisht për disa institucione shëndetësore mund të sjellë kaos shtesë i cili paraqitet në shumë spitale shtetërore”, tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Nga Aleanca për shqiptarët thanë se ata janë “pro” shpalljes së gjendjes krize, shkaku i numrit të rritur të të infektuare. Lideri i partisë, Zijadin Sela, thotë se sjellja e vendimit të tillë është hap i vonuar, duke pasur parasysh se situata me koronavirus nuk është menaxhuar ashtu siç duhet. Nga partia, njëkohësisht kërkojnë edhe përgjegjësi.

“Tashmë po shihet edhe sipas numrit të viktimave dhe të të infektuarve.  Unë mendoj se duhet të shpallet gjendje krize, por nga ana tjetër kjo nuk duhet të kalojë pa bartur përgjegjësi. Në këtë moment, qytetarët nuk mund të marrin shërbim shëndetësor siç duhet, pasi kapacitetet shëndetësore janë të plotësuara. Është normale të shpallet gjendje krize me qëllim që të menaxhohen edhe kapacitet e tjera në vend”, theksoi Ziadin Sela – kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Vendimin e Këshillit për Siguri, për të shpallur gjendje krize për herë të parë në të gjithë territorin e vendit, dje në takimin e arsyetoi Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Pasi të shpallet gjendje krize, Ligji për Mbrojtje dhe Ligji për Menaxhim me Kriza, japin mundësi më të gjera për përkrahje të institucioneve kompetente, para se gjithash institucioneve shëndetësore nga ana e Armatës”, deklaroi Stevo Pendarovski – President i RMV-së.

Përndryshe, me vendimin e këtillë Shtabi i Krizës zëvendësohet me Komitetin Drejtues në të cilin do të marrin pjesë ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Mbrojtjes, komisionet për siguri në Kuvend, dhe opozita. Institucionet kompetente do të bëjnë plan me të cilin do të vendosen në dispozitë edhe kapacitetet e spitaleve private. Shpallja e gjendjes krize në të gjithë territorin e vendit nuk do të thotë edhe vendosje të orës policore dhe restrikcione të lëvizjes, raporton TV21./21Media