Nga: Lasgush Poradeci

Fryma, Parim i perëndishmë që përpara herës, Mendim krijonjës dhe përmbajtës i bërë fjalë për të urdhëruar të-vetat, qëndroj, si në fillim të qënies, mi faqen e valëve në fillim të Ringjalljes shqiptare. Ky ish Mendimi Kombëtar, Fryma, përmbushëse e destinit të një Kombi. Ishte Shpirti i përmbajtjes që u bë Fjalë dhe njeri për t’u lajmëruar. Me këtë Frymë në gojë, Parim jetëdhënës, u dërguan dërgimtarët shqiptarë në botën shqiptare, lajmëtarët e Mendimit të Kombit.

Ç’ishte ky Mendim-Frymë, Fjalë, Parim drite i pavdekur? Ish Mendimi i vetëdijes. Fjala e jetës shqiptare. Ajo ndrit errësirën dhe hap të fshehtën e punrave. Gjen dhe shpall të Vërtetën. Bisedon, për të njohur të Vërtetën shqiptare, edhe Zotin vetë, të Cilin e parashtron kombëtarisht mi tryezë. Dhe gjen pra kësisoj prej ndarjes dhe përçarjes së vjetëruar për të perënduar besimtare, bashkimin kombëtar më fenë dhe më Zotin.

Ky ish Mendimi i bërë Fjalë në gjuhën e Dërgimtarëve të Kombit, të atyre që paragatitnë Rilindjen, të atyre që e ndërtuan, dhe të atyre që e vazhduan me Frymën e parë, e cila do të mbetet, siç është, e përgjithnjëshme. Me këtë Mendim në zemër e në gojë u vërsulën drejt qiellit të Kombit, si Parathënës të perëndishmë, Naum Veqilharxhi në Rumani, Efthim Mitkua në Egjipt, Anastas Kullurioti në Greqi, Harallamb Koçi në Rusi, me gjithë vargun e bashkëvalletarëve brënda dhe jashtë Atdheut. Me këtë Mendim, Mendim të Kombit në zemër e në gojë, muar hov Dërgimtarët e Frashërit, në ballë Naim Frashëri, Pashko Vasë Pasha Shkodrani, Mihal Gramenua, ndërtimtarë të Rilindjes. Me këtë Mendim vetëshugurohet At Gjergj Fishta vazhdonjës në udhën e Dërgimtarisë shqiptare.

Vjershëtori Naim Frashëri, një bektashi shqiptar, puth Krishtin në emër të Kombit dhe dyke e adhuruar lajmëron përmbledhjen e madhe të Shqiptarëve në Fenë e përbashkët të atdhedashurisë. Fjala e tij, është Fryma, Parimi, Shpirti i përjetshëm i Dërgimtarisë shqiptare:

Djalëth njeriu i Perëndisë,
Zot, ti ke vuar.
Dhe dashurinë e bëre besë,
Të qofsha falë!

Diplomati Pashko Vasa, një katolik shqiptar, sodet vetëveten për të gjetur Mendimin e Kombit, dhe dyke e gjetur lajmëron gas të rëndë, në atë Vajën e tij që është vërtet Himni i math shpëtimtar, marshi bashkonjës i fateve shqiptare në Mendimin e Kombit, në Fenë e përbashkët të Shqiptarisë:

Çohni, Shqiptarë, prej gjumit çohni,
Të gjith si vllazën në nji bes shtërgohni
Edhe mos shikoni kisha e xhamija,
Se feja e Shqiptarit asht Shqiptarnija.

Kryengritësi Mihal Grameno, një orthodhoks shqiptar, këndon vjershëtorët dhe dëgjon veteranët, mëson Mendimin e Kombit dhe shpall Shpirtin, Vëllazëri e pandarë, Fe kombëtare:

Njëri në kisha, tjetri në xhamija,
Jemi vëllezër, s’ na ndajnë dot.

Edhe prifti Gjergj Fishta, Vazhdimtar në udhën e Kombit, Frymëtar i Fjalës, solli Dhuratën e vet në Adhurimtoren e Atdheut-Shpirt, Mendim i Parathënësve të Shqipes. Ay e solli me gjith vargun e shprehjeve bashkimtare dhe vëllazërimtare fetare të falura në gojë të polemit shqiptar dhe të krerëve shqiptarë dhe të udhëheqësve shqiptarë, të cilët lidhin besë e fe shqiptare ndaj Rezikun- Mendim i kombit, Parim atdhedashurije. Më shumë, sepse dyke bërë dorëzim pavdekësisë, ay i-a pruri dhuratën Lahutës së tij me kombëtarësimin e fatosit shkodran Oso Kuka, të Ali Pashë Gusinjës dhe të Hajrijes në pavetëdije, të ridhënë Atdheut përngahera nga humbja e mosqënies. Vepërimi krijimtar i Gjergj Fishtës, i këtij krijimi kombëtar të vetëdijshëm prej kombësisë shqiptare së pavetëdijëshme, është ay i endjes, së pari, nëpër Purgatorin e vetëvetes spatronjës, ay i faljes në Adhurimtoren e Mendimit të Kombit. Si një kushtrimtar i vyer për punën e kushtimit të tij, m’a pat bërë Fishta, vetë ay me gazin e fjalës së vet, këtë Apokalipsë të madhe shqiptare. Vajta t’a shoh rishtas më 1937, në Shkodër në Kuvend. S’e gjeta… Ardhi më mori… Folmë mi mjeshtëri të vjershës në atë tryezë përallore. Në librën t’ime të falur, i kisha shkruar pjesën e njëqindtë nga ç’desha:

Njeriut të Zotit meditans dhe militans,
Burrit shqiptar përfaqësonjës,
Më të madhit epik të shekullit.

Si shpërblim fisnikërije për këtë të vërtetë, Fishta më përkëdheli toskërisht: “Lasgush, unë mirë të lexoj, mirë kuptoj. Ajo mënyrë e brëndshme është mundim, vojtje. Edhe unë do të mundnja të shkruaj ashtu, veç se druhem…”. “Pater, shkruaj passi e kam mundur dhëmbjen dhe vojtjen, passi jam pastruar- në kujtim…”. Atëhere Fishta pohoj dyke u zbuluar: “Vërtet, kam bërë unë kështu me Oson, Alinë, Hajrijen…”,

M’a shpjegoj pastaj i çelur në zemër atë vepërim kurreshtjeje të fshehtësirave të punëtorisë vjershëtore, që është fshehtësija e forcës dhe e fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar, Frymë, Parim, Fjalë e përjetëshme e Mendimit të Kombit.

Një prift tjetër, Fan Noli, Dërgimtar shpirt Dërgimtari i Shqipes, bëri më von prej këtij Mendimi të Kombit Mendimin e Flamurit të therrorisë dhe të Bashkimit të shentë kombëtar:

Flamur! që linde Shën-Kostandinë!
Bashkon Islamnë me Krishterimnë!
Flamur: altar për therrori!