Qendrës Klinike Universitare të Kosovës i janë shtuar edhe 15 respiratorë. Këtë respiratorë u dhanë donacion nga Gjermania e që vlera e tyre është rreth 436 mijë euro.

Dhurimin e donacionit e ka bërë në mëngjesin e së enjtes ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ushtruesi i detyrës së Shërbimit Kliniko Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.

Pas dhurimit të respiratorëve, ambasadori Rohde, është shprehur se përodimi sa më pak i respiratorëve do të ishte tregues i mirë për mundjen e pandemisë COVID-19. Po ashtu ai ka bërë thirrje që të respektohen masat ndaj COVID-19, meqë tani edhe po aforohet dimri e që kjo mund të paraqes rrezik për rritjen e numrit të të infektuave me virusin korona.

“Edhe unë, sikurse ministri dhe drejtori Krasniqi, megjithëse i keni marrë këto pajisje, t’i përdorim sa më pak që është e mundur sepse kjo do të thoshte se jemi në rrugë të drejtë për ta mundur pandeminë dhe për ta bërë një gjë të tillë, duhet t’i përmbahemi sa më shumë rregullave, të mbajmë distancën dhe t’i mbajmë maskat…. kjo është më rëndësi sepse po i ofrohemi dimrit dhe mund të ketë rrezik, apo ka rrezik se do të ketë rritje të numrave, dhe kjo nuk është gjendja vetëm në Kosovë por këtë po e tregojnë edhe në shtetet e QUINT-it”, ka thënë Rohde.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nga sot do të trefishohen kapacitetet testuese dhe kjo po bëhet falë miqve dhe partnerëve ndërkombëtar.

“Sot po e fillojmë këtë ditë me dy lajme të mira, unë sa po erdha nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ku nga sot do të trefishohen kapacitetet testuese, edhe kjo ndihmë në mbështetjen nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtar, këtu po pranojmë 15 respirator të vlefshëm, i cili i bashkëngjitet kontingjentit për ndihma të donatorëve dhe pjesa tjetër e angazhimit të përbashkët do të jetë ngritja e kapaciteteve humane, njerëz të cilët do t’i përgatisin profesionistët të rijnë, edhe në përdorimin e këtyre pajisjeve të avancuara”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka porositur qytetarët që të vazhdojnë me respektimin e masave që të mbahet në kontrolle situata pandemike.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi ka garantuar ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde se respiratorët e dhuruar do të përdoren për qëllimin e destinuar.

“Ne sot po bëjmë pranimin e 15 respiratorëve të cilët i kemi donacion nga shteti federal i Gjermanisë, përmes ambasadës së tyre këtu në Prishtinë, për çka jemi shumë falënderues. Ju e dini që gjatë kohës së pandemisë, një numër i pacientëve kanë pasur nevojë për trajtim nëpër repartet e kujdesit intensiv, dhe këto aparate të respiratorëve shkojnë direkt në funksion të ngritjes së cilësisë së shërbimeve për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë”, ka thënë Krasniqi.