Gjermania: Serbia të vendosë, në rrugë të BE-së apo sanksione

Gjermania është duke e rritur presionin mbi autoritetet e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, sipas gazetës gjermane “Welt”. Sipas burimeve nga qeveria gjermane, kjo gazetë ka raportuar se nëse Serbia nuk u bindet pikëpamjeve të Perëndimit, e presin sanksionet.

Berlini pret që Serbia të vendosë më në fund nëse dëshiron rrugën e Bashkimit Evropian ose të partneritetit me Rusinë, kanë thënë burimet për “Welt”.

“Domosdoshmëria për të marrë një vendim po bëhet vazhdimisht e më e rëndësishme, në mes të këtyre zhvillimeve gjeopolitike”, ka thënë burimi në Qeverinë e Gjermanisë.

Siç shkruan kjo gazetë, në Gjermani “janë të zhgënjyer dhe befasuar” me faktin që Serbia nënshkroi marrëveshje me Rusinë, për politikën e jashtme. Në raportim thuhet se në Gjermani ekziston përshtypja që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është politikan me përvojë që është në dijeni për pozicionin mes BE-së dhe Rusisë. “Do të jetë vazhdimisht e më shumë e papërshtatshme të jesh në atë ulëse”, ka thënë burimi.

Aty raportohet se Vuçiqi mund të marrë përkrahjen e Qeverisë së Gjermanisë nëse vendos që ta çojë Serbinë drejt BE-së. “Nëse zgjedh rrugë tjetër, do të ketë pasoja”, ka thënë ky burim.

Në Berlin së fundmi “u ringjall” Procesi i Berlinit. Shtetet e Ballkanit Perëndimor pritet që më 3 nëntor të nënshkruajnë tri marrëveshje.

Serbia është ndër të paktat vende në botë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button