Qeveria gjermane tha se nuk ka marrë konfirmim zyrtar nga Washingtoni për ndonjë vendim të presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen e mijëra trupave nga Gjermania, por theksoi se prania e tyre u shërben të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

Një zyrtar i lartë amerikan tha të premten se kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka urdhëruar ushtrinë amerikane që t’i largojë 9,500 trupa nga Gjermania. Kjo lëvizje do ta zvogëlonte numrin e përgjithshëm të trupave amerikane në Gjermani në 25,000 ushtarë.

“Nuk dëshiroj të spekuloj për diçka për të cilën nuk kam konfirmim. Fakti është se prania e trupave të ShBA-së në Gjermani i shërben tërë sigurisë së aleancës së NATO-s, prandaj edhe sigurisë amerikane. Ky është themeli mbi të cilin ne punojmë së bashku”, tha ministrja gjermane e mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Pavarësisht dyshimeve rreth armëve bërthamore që besohet se Shtetet e Bashkuara i kanë në një bazë në Buechel të Gjermanisë perëndimore, gjermanët në përgjithësi i kanë mirëpritur trupat amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore, transmeton rtv21.tv.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha të hënën se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara në NATO dhe me partnerët e tjerë të NATO-s është kyç për sigurinë e Gjermanisë.

Megjithatë, edhe nëse nuk është konfirmuar ende, vendimi i ka shokuar politikëbërësit në Berlin.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë janë tensionuar shpesh gjatë presidencës së Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Ai i ka bërë presion Gjermanisë që t’i rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe e ka akuzuar këtë vend se është bërë peng i Rusisë për shkak të varësisë nga ajo në sektorin e energjisë./21Media