Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 400 euro gjobë, të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Asdren Gjikolli, i njohur me emrin artistik Gjiko.

Me 400 euro gjobë u dënua edhe i akuzuari tjetër për armëmbajtje pa leje, Valon Alija.

Sipas aktgjykimit të shpallur të martën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, shumën prej 400 euro të pandehurit detyrohen ta paguajnë në afat prej 30 ditëve pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Të njëjtit u njoftuan edhe për pasojat e mos pagesës së gjobës, me ç’rast dënimi me gjobë do t’u shndërrohet në dënim me burg. Sipas aktgjykimit, të pandehurve u janë konfiskuar edhe armët.

Ndryshe, Gjikolli dhe Alija kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Pejë, përmes mbrojtësve të tyre, avokatëve Fisnik Mujaj dhe Blerim Ademaj, ku janë pajtuar që ndaj tyre gjykata të shqiptoj dënim me gjobë prej 400 deri në 500 euro, si dhe të bëhet konfiskimi i armëve. Lidhur me këtë, gjatë seancës së mbajtur të martën, të pandehurit deklaruan se asnjëherë nuk do t’i përsërisin veprimet e tilla, duke shprehur pendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.