Komuna e Gjilanit është ndër komunat më të prekura me koronavirus. Aktualisht janë 26 raste aktive me koronavirus në Gjilan.

Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli në një intervistë në “Bon Bon”, u shpreh se dje dhe sot janë marrë një numër i konsiderueshëm i mostrave dhe se pritet që sonte me dalë rezultatet.

“Më lejoni të konfirmoj se për fat të keq dje ka qenë një numër i konsiderueshëm i mostrave, mirëpo rezultatet e Gjilanit nuk janë fut në test në Institutin Kombtar të Shëndetit Publik. Po pritet sot me mostrat e reja, që është prapë një numër i konsiderueshëm në tërësi, që sonte me dalë rezultatet”, deklaroi Ismajli.

Nënkryetari i Gjilanit shprehu shqetësimin e tij lidhur me mosrespektimin e rekomandimeve të dhëna nga institucionet nga një pjesë e qytetarëve të kësaj komune.

“Ndoshta e kemi thënë shumë herë, ndoshta e kemi tepruar duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje, për qëndrim në shtëpi, duke bërë thirrje për respektim të rregullave të dala nga institucionet qendrore dhe lokale. Siç po e shihni edhe ju është shqetësim serioz edhe kjo që po e shohim në qytet, një numër i i qytetarëve po vazhdojnë me lëviz pa maska dhe pa dorëza. Për një pjesë të bizneseve kemi lëshuar vendim, që asnjë shërbim të mos kryhet as nga ata që shesin produkte dhe as nga ata që blejnë produkte pa qenë të pajisur me dorëza dhe maska. Mirëpo, edhe përkundër thirrjeve tona, një pjesë e qytetarëve s’po e respektojnë këtë thirrje”, deklaroi Ismajli.

Lidhur me masat e ndërmarra në këtë komunë, Ismajli tha se kryesisht kanë kërkuar që në hyrjet dhe daljet e qytetit të ketë kontroll më të shtuar. Më tej shtoi se Gjilani s’është burim i infeksionit.

“Është hera e katërt që Gjilani po atakohet me COVID-19 prej kontakteve të jashtme. Pra nuk mundemi me thënë që Gjilani ka burim të COVID-it, sepse prej rastit të parë që u paraqit, është rast që ka ardhë prej Gjermanisë, mandej kanë qenë rastet e Bondsteel-it, rastet e fshatrave të Kamenicës dhe rasti i fundit është i Prishtinës, pra i një klinike private. Pra katër herë Gjilani është atakuar prej jashtë. Prandaj kemi bërë thirrje dhe përgatitje në koordinim të plotë me forcat e rendit dhe policinë e shtetit që në hyrjet e qytetit të ketë kontroll më të shtuar”, deklaroi Ismajli./21Media