“Hapni shkollat, hapni shkollat, hapni shkollat”.

Më këtë thirrje nxënësit e shkollave të mesme “Drita” dhe “Mirko Mileksi” në shenjë proteste sot marshuan nga sheshi i qytetit deri te Gjimnazi i Kërçovës.

Kërkesat e nxënësve janë që të fillohet mësimi më prezencë fizike e jo me mësim online siç u vendos nga qeveria.

“Ne jemi nxënës të kësaj shkolle dhe jemi mbledhur këtu për të fituar të drejtat tona, të drejtën e shkollimit. Të gjithë nxënësit e Gjimnazit Drita dhe Mirko jemi mbledhur këtu sepse duam shkollë dhe jo mësim online”, tha një nxënëse.

“Në fillim të pandemisë ne të gjithë mbajtëm mësim online deri në qershor dhe e pamë se nuk ishte aspak efektive, ne duam të drejtat tona,  duam të kthehemi në bankat tona shkollore”, shtoi një nxënëse tjetër.

Drejtori i Gjimnazit “Drita”, Festim Ahmeti tha se ata si shkollë kanë bërë kërkesë për mësim me prezencë fizike, mirëpo MASH ka vendosur që shkollat nuk i plotësojnë kushtet për mësim me prezencë fizike.

“Kërkesat  e tyre për mësim fizik unë mendoj se janë të drejta, protesta është e drejtë, bojkoti është i drejtë dhe është i ligjshëm mirëpo Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur që mësimi kryesisht në shkollat e mesme dhe në një pjesë të shkollave fillore të zhvillohet në mënyrë online”, deklaroi Festim Ahmeti – Drejtor i SHMK “Drita”.

Të dy gjimnazet “Drita” dhe “Mirko Mileski” të Kërçovës kanë 1500 nxënës, të cilët mësojnë në një objekt dhe me dy ndërrime, raporton TV21./21Media