Para dy muajsh u bënë të gjitha përgatitjet. U dezinfektuan dyshekët dhe u testuan të gjithë të punësuarit në çerdhe. U përgatit edhe protokolli për punë dhe gjithçka ishte gati që me punë të nisin edhe çerdhet.

Por hapja e çerdheve u shtye për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me Kovid-19.

“Siç mund të shihni, dyert e çerdhes “13 nëntori” ende janë të mbyllura, për shkak se Qeveria ende nuk ka një vendim se kur do të hapen të njëjtat”, Fatbardha Curri, gazetare.

Gjendja e njëjtë është edhe në çerdhet tjera. Drejtoresha e “Borëbardhës” tha se gjithçka ishte gati që çerdhet të fillonin me punë qysh më 15 qershor, por tash nuk ka ndonjë paralajmërim.

“Ne atëherë u përgatitëm komplet për hapjen e çerdhes, sipas të gjitha rekomandimet që na u dhanë ne i zbatuam. Blemë termometër, dezinfektuam hapësirat, gjithçka u pastrua. U rregulluan edhe hapësirat. Ne ishim të gatshëm të fillojmë, por për shkak të situatës me rritjen e numrit të të infektuarve, shtyhej e gjitha”, tha Daniella Kostencova, drejtoreshë e çerdhes “Borëbardha”.

E pyetëm se nëse ka pasur prindër që kanë kërkuar hapjen e çerdheve, ajo me përgjigje: “Kemi pasur anketë dhe në anketë ka pasur numër të madh të prindërve që donin të fillonim me punë. Por sërish do të përsëris, ajo periudhë, kur ndodhën ato punë, situata ishte më e mirë dhe më e qetë. Tash sikur ta bënim anketën, nuk e di a do të ishte interesimi i njëjtë, nuk e di nëse interesimi do të ishte i njëjtë”, u shpreh Daniella Kostencova, drejtoreshë e çerdhes “Borëbardha”.

Mbyllja e çerdheve e detyroi Qeverinë që t’i lirojë nga puna edhe prindërit që kanë fëmijë deri në moshën 11-vjeçare. Disa prej prindërve me vendimin e fundit të Qeverisë u rikthyen në punë. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se bëhet fjalë për prindër që kanë fëmijë në shkollë.

“Bëhet fjalë për prindërit e fëmijëve të moshës shkollore, sepse tash edhe ashtu shkollat nuk punojnë. Mbetet në fuqi vendimi i fëmijëve që shkojnë në çerdhe të cilët tash nuk funksionojnë”, theksoi ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.

Por edhe pse pas skriningut kishin rezultuat vetëm dy punëtor të çerdheve pozitiv, sot, pas dy muajsh informacionet tona tregojnë se në izolim gjendet një drejtoreshë e rrjetit të çerdheve në Shkup. Kjo nxit nevojën që në rast të mundësisë së rihapjes, punëtorët e çerdheve sërish do të duhet t’i nënshtohen skriningut./21Media