Gjuha e urrejtjes vazhdimisht në rritje, shkak bota virtuale

Sahide Brati &  Samire Jaha*

 
Në botën digjitale nga ajo që lexojmë çdo ditë mund të shohim gjuhë të urrejtjes kundër atyre që janë të ndryshëm nga raca, feja, gjinia, orientimi seksual e të tjera.
Le të ndalojmë së besuari se problemi i shoqërisë sonë janë personat që nuk përshtaten brenda “parametrave”. Në vend të kësaj, le të pyesim veten se si ta bllokojmë këtë fenomen? Si ta ndalojmë përhapjen e urrejtjes? Sigurisht që është e nevojshme të veprohet në shkolla, duke mësuar brezat e rinj të braktisin gjuhën seksiste, duke i mësuar kështu një gjuhë më të respektueshme dhe kryesorja duke i edukuar me dashuri.
„çkado që bën, të tjerët do të qeshin me ty derisa të bëjnë të njëjtën gjë edhe ata…“
Një rast konkret, ndaj të cilit është ushtruar një „presion” i tillë,  është TikTok-eri, Qëndrim Hasani, ku përmes videove ai shfaq punën e tij kreative për dizajnimin e rrobave.
Hasani thotë se çdo fillim është i vështirë kur duam të arrijmë diçka, por sidomos në vendin tonë sfidat janë akoma më të mëdha.
Si arsye të kësaj,  konsideron se janë përjetimet e tmerrshme në të cilat ka kaluar populli shqiptar. Thekson mentalitetin e mbetur nga ajo kohë, ku një grua dhe një burrë i kanë punët dhe detyrat e caktuara. Nga kjo, ai thotë se vështirësohet rrugëtimi i tij dhe i të tjerëve drejt ëndrrave.
Ai tregon se është përballur me gjuhën e urrejtjes edhe para se të fillonte me krijimin e rrobave.
“Unë kur hapa aplikacionin e quajtur TikTok diku në mes të vitit 2018 miqtë e mi, të afërmit e mi, njerëzit e panjohur në komente bënin shaka ose mund ta them bullizonin për arsyje se jam duke bërë diçka që është më ndryshe, diçka që ndoshta jo shpesh është parë. Unë ndihesha mirë duke krijuar video të ndryshme me plot kreativitet“, tha Hasani.
Pastaj, shton, se pas një kohe, aplikacionin e lartpërmendur filluan ta përdornin të gjitha moshat. Tutje, thotë se çkado që bën, të tjerët do të qeshin me ty derisa të bëjnë të njëjtën gjë edhe ata.
Ai i kishte përjetuar shumë fjalët negative në fillet e rrugëtimit të tij, shkaku i tyre e kishte humbur vullnetin.
“Bëra një pauzë, më pas kur unë fillova t‘i siguroj mjetet e mia që më nevojiteshin të krijoja rroba, vendosa ta promovoj talentin tim në TikTok. Fillova me postime të ndryshme të veshjeve për të cilat jam shumë krenar”, tha ai.
Përsëri po kritikohej nga të tjerët por tashmë nuk ndikohej si më parë.
“Komente negative kishte ende, por kuptova që njerëzit nuk do të pushonin së foluri kurrë. Askush nuk është i detyruar të pëlqej atë që pëlqej unë dhe e kundërta. Të gjithë kemi jetën tonë dhe jo të gjithë do të na duan”, potencoi ai.
Ai shprehet se komentet ofenduese drejtuar atij në rrjete sociale, nuk i fshin, nuk i pengojnë ngase është në paqe me veten e tij.
Këtë pjesë nuk e ka më problem, e cilëson si të pakuptimtë ngaqë thotë se ka të atillë që nuk ia kanë idenë çka është moda, dizajni dhe mundohen ta hedhin poshtë punën që bën.
“Tashmë unë kam hapur brendin tim. Është një biznes i vogël në instagram që po shes krijimet e mia online dhe me këtë dua të them se ku jam unë sot dhe ku është personi i cili më ka ofenduar më ka sharë apo çfarëdo fjale tjetër që ka qenë në drejtim timin”, tha Hasani.
Ai tregon se mundohet t’i motivoj të rinjtë dhe iu sugjeron të mos ndalen shkaku i të tjerëve.
“Unë gjithmonë mundohem çdo personi t’iu them,mos u ndalni se punuari, mos u ndalni së ndjekuri ëndrrat e juaja, mos lejoni që disa persona tjerë të bëhen shkak i mos arritjes së ëndrrave tuaja. Nëse ti ke një mendim atëherë shprehe në mënyrën e duhur jo në mënyrë ofendimi”, shprehet ai.
„…kemi nevojë për ngrohtësinë e njëri-tjetrit”
Përpos tij, edhe Lirigzona Kuleta, e cila njihet me emrin DJ Lilmiss, thotë se edhe para se ta ushtronte këtë profesion, kishte tentuar të përgatitej për reagimet që mund t’i merrte por prapë kur erdhi momenti nuk ishte e lehtë t’i përballonte.
“Para se të filloj punën si DJ, fillova të përgatitem për çdo fjalë që vjen drejt meje mirëpo përsëri kishin ndikim tek unë. Ka pasur raste ku nuk kam reaguar aty për aty mirëpo e kam ngushëlluar veten te motra ose një person i afërt. Duke e marrë parasysh që tash janë bërë një vjet prej që kam filluar këtë punë, ende ka komente negative mirëpo nuk i marr parasysh sikur në fillim“, rrëfen ajo.
Në raste të tilla ajo thotë se secilit i nevojitet një person që ta mbështes. Ajo tregon se ishte me fat që e kishte shoqërinë pranë saj, ndaj të cilëve është falënderuese.
DJ Lilmiss thotë që duhet të kuptohet që një formë e tillë e komunikimit nuk është e duhura.
“Nuk mundet të ndalet vetëm prej një personi, po shpresoj që shumë shpejt do të vetëdijësohemi dhe ta kuptojmë që absolut në asnjë mënyrë nuk është në rregull ky lloj i çasjes. Në këtë kohë pandemie, kemi nevojë për ngrohtësinë e njëri-tjetrit”, thotë ajo.
Ekzistojnë faktorë të ndryshëm psikologjik e social, të cilët mund të ndikojnë në përdorimin e gjuhës së urrejtjes
Sa i përket kësaj, njohësja e psikologjisë, Gentiana Mehmeti Ademi, thotë se gjuha e urrejtjes është mjaft e shprehur nëpër rrjetet sociale si në Kosovë por edhe më gjerë.
Ajo thotë se mediat sociale japin hapësirë pafund për shprehje mendimesh, pasi që mos-ndëshkueshmëria e gjuhës së urrejtjes të shprehura në internet, bëjnë të mundur që gjithsecili të mund ta përdor atë.
Ajo tregon se cilët janë faktorët kyç që disa persona shprehen në këtë formë.
“Ekzistojnë faktorë të ndryshëm psikologjik e social, të cilët mund të ndikojnë në përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe secili prej tyre meriton trajtim dhe vëmendje të veçantë. Përballja e përditshme me streset jetësore si dhe përvojat me streset e kaluara, mundësojnë akumulimin e ndjenjave negative të cilat shpeshherë mund të kanalizohen në mënyrë jo të duhur”, tha Ademi.
Po ashtu ajo sqaroi termin gjuhë e urrejtjes.
“Urrejtja është emocion njerëzor, i drejtuar ndaj një individi apo grupi shoqëror për karakteristika dhe motive të caktuara. Gjuha e urrejtjes zakonisht ka për qëllim denigrimin, uljen, përbuzjen e nënçmimin e individit/individëve ndaj të cilëve drejtohet ajo”, shtoi ajo.
Sipas saj, ky fenomen nëpër media sociale rëndon shumë më tepër mbi individin ndaj të cilit është shprehur kjo gjuhë.
E kjo për faktin që ajo bëhet virale për një kohë të shkurtër dhe si e tillë atakohet jo vetëm individi, por gjithashtu edhe rrethi familjar dhe më gjerë.
Psikologia Ademi, shpjegon efektin psikologjik që ka kjo dukuri.
“Rëndesa psikologjike është shumë e madhe e cila mund të ndikojë në fusha të shumta të personalitetit të individit. Vetëbesimi dhe vetëvlerësimi i ulët, izolimi e tërheqja sociale janë ato që preken më së tepërmi, për të vazhduar me zhgënjim, depresion, mendime apo tentativa vetëvrasëse”, theksoi ajo.
Tutje, shton se tejkalimi i situatës së krijuar nga gjuha e urrejtjes varet nga problematika dhe serioziteti i saj. Sa më serioze dhe intensive të jetë kjo dukuri, aq më e vështirë është tejkalimi i saj.
Si zgjidhje për këtë çështje ajo sugjeron konsultim me ekspertë të fushës.
“Vizita dhe konsulta me profesionistë të shëndetit mendor është rruga më e mirë që mund të ndjekin personat ndaj të cilëve është përdorur gjuha e urrejtjes. Ata kanë nevojë për siguri dhe mirëkuptim si dhe tejkalim të shëndetshëm të situatës së krijuar”, tregoi ajo.
Sipas saj, në botën onlinë, gjithsecili mund të jetë viktimë e gjuhës së urrejtjes. Ajo thotë se diversitetet e shumta në përkatësitë e grupeve të ndryshme shoqërore (etni, religjion, politikë etj.) bëjnë të mundur ekspozimin e të njëjtëve ndaj gjuhës urryese.
Psikologia, thotë se derisa nuk merren masa të përshtatshme për luftimin e këtij fenomeni, ai vetvetiu nuk mund të zhduket, por përkundrazi do të ketë trend rritjeje.
“Gjuha e urrejtjes duhet të luftohet nga të gjitha instancat shoqërore, duke filluar nga familja, shkolla, qeveritë lokale dhe qendrore, mediat, organizatat joqeveritare etj. Gjuha e urrejtjes është fenomen me pasoja shumë të mëdha personale dhe shoqërore, andaj kontributi i gjithëve është i domosdoshëm për zvogëlimin dhe menaxhimin e tij”, potencoi Ademi.
Gjuha e urrejtjes po rritet çdo ditë dhe në këtë aspekt po kontribuojnë të gjithë
Ndërsa. sipas sociologut, Rejhan Fejza, rrjetet sociale janë problematikë në vete në raport me shoqërinë tonë.
Ai shprehet se pothuajse në çdo aspekt kanë impakt ndryshimi dhe janë shkaktar i shumë problemeve shoqërore.
“Gjuha e urrejtjes është një nga problemet e para që janë rritur, qysh në fillimin e shfaqjes së rrjeteve sociale pothuajse në tërë globin e me theks të veçantë në vendet e “botës së tretë” siç është edhe Kosova”, tha Fejza.
Ai thotë se përcaktimi i normave shoqërore te ne, e bënë hapin e parë të problematizimit të gjuhës urryese.
Ta zëm, ta ofendosh dikë në një rast, është përshëndetje në rastin tjetër, shembull janë shokët e shoqet që mes vete përdorin ofendime të ndryshme si lloj të shpjegimit të “trashjes” së shoqërisë. Gjuha e urrejtjes po rritet çdo ditë dhe në këtë aspekt po kontribuojnë të gjithë, nga udhëheqësit e shtetit e deri tek ata që janë shtresa që duhet të bëjë edukimin e shoqërisë, mësuesit.“
Sociologu Fejza numëron pasojat që sjell gjuha e urrejtjes.
Si pasojë kryesore ai rendit pasigurinë pasi kjo i sjellë të gjitha reaksionet negative shoqërore.
“Shumë nga problemet e sotme në Kosovë janë si pikënisje e gjuhës së urrejtjes, ta zëm, vrasjet, tentim-vrasjet, sulmet dhe dhunimet si filles e kanë një gjuhë që derivon urrejtje të formave të ndryshme edhe pse ndoshta fillesat e saj janë diku tjetër shumë veprime të pamenduara për urrejtje devalvojnë në gjuhë urrejtjeje”, thotë ai.
Sipas tij, shoqëria kosovare është ende e pa informuar për rëndësinë dhe rolin që kanë rrjetet sociale.
Ai tutje tha se kur shkruajmë ndonjë status duhet ta kujtojmë që kjo mund ta lëndoj dikë tjetër.
Shembull për këtë është rasti tashmë i famshëm i një deputeti që reagon pa maturi dhe pa e analizuar logjikisht atë që shkruan në “Facebook” dhe e tëra përkthehet në një persekutim shoqëror ndaj një individi, veç një ditë pas, filluan të ndahen taborret dhe kjo solli shumë të tjerë ‘statuse’ me shumë gjuhë urrejtjeje. Ne duhet të kemi të qartë që kur mbajmë anë, kur shkruajmë për dikë apo kur apostrofojmë ndonjë subjekt, ne gjithmonë duhet të kemi parasysh që të analizojmë gjithçka deri në detaje e pastaj ta publikojmë”, thotë njohësi i sociologjisë.
Më tej, shprehet se të prekur nga ky fenomen janë të gjithë pa anashkaluar ndonjë kategori.
Gjithashtu, ai tha se ne si shoqëri, duhet patjetër të kuptojmë që jo të gjithë duhet të jemi të njëjtë dhe të kuptojmë që ka raste kur ajo se çka ne mendojmë ose besojmë, nuk është zgjidhja e duhur për dikë tjetër.
“Gratë, vajzat, djemtë, burrat, mësuesit, mjekët të gjitha profesionet, fetë dhe fetarët gjithashtu të përsekutuarit politik, seksual, kulturorë, të varfërit, të pasurit etj. Në rrjetet sociale gjithmonë është dikush që e ofendon/sulmon apo bullizon dikë”, deklaroi ai.
Ai thekson se mungesa e emancipimit politik/shoqëror e shkakton çdo aspekt të urrejtjes.
Pasi që, në shoqëritë e ndryshme urrejtja ka përceptime dhe forma të ndryshme të manifestimit. Sipas tij, aktualiteti në Kosovë është që urrejtja buron nga dallimet të cilat kanë përkatësi ekstreme nga individët ose grupet e ndryshme.
“Në shoqëritë të cilat janë në lëvizje përgjatë historisë gjithmonë dikush ka arsye të urrej dikë. Ta zëm Zvicrra që njihet si një shtet me historik të balancuar shoqëror është shteti i fundit që iu ka dhënë të drejtën e votës grave. I bie që dikush në pushtet aty ka pasur ndonjë “telashe” me gratë, pra ndonjë mizogjinik“, shtoi ai.
Fyerjet janë abuzim me lirinë e shprehjës
Kurse, gazetari, Uran Krasniqi, shpjegon se si të identifikohet kjo gjuhë.
“Gjuha e urrejtjes identifikohet nga përmbajtja e një plasimi te caktuar, çfarëdo që është: reagim momenti, komunikatë, opinion etj. Kur ka më shumë ofendime të pabazuara sesa argumente, është tregues i qartë se ka të bëj me një fletërrufe urrejtjeje sesa me një produkt racional“, tha ai.
Tutje ai sqaron kufirin mes lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes, i cili shpesh ngatërrohet.
“Kufiri është i dallueshëm lehtë, fusha pa urrejtje është në njërën anë dhe fusha me fyerje të pabazuara në anën tjetër. Fyerjet janë abuzim me lirinë e shprehjës“, tha Krasniqi.
Gazetari shprehet se ka kategori dhe motive të ndryshme për këtë aspekt.
“Militantët e partive politike, fanatikët fetarë, të dëshpëruarit për shkak të mosrealizimit të një objektivi të caktuar etj. Motivet janë të ndryshme, militantët partiakë për shkak se duan ta ulin konkurrentin, fanatikët fetarë sepse nuk i durojnë figurat kombëtare pasi e duan fenë dhe jo kombin identitet suprem, si dhe të dëshpëruarit ngase e kanë të vështirë ta kërkojnë problemin tek vetja“, tha ai.
„Me kohë e kuptuan që nuk po kanë mundësi të më thyejnë shpirtërisht“
Një shembull tjetër që është përballur me komente jo të mira është edhe Zana Rrmoku. Ajo është përdoruese e TikTok-ut, dhe Instagram-it, ku poston video të ndryshme rreth punës së saj që bën në lidhje me dizajnin e modës.
Komentet negative nuk kanë ndikuar shumë tek ajo por fillimi ka qenë më i vështirë, atë e lëndonin injoranca dhe mllefi që njerëzit e shprehnin për punën, artin që bën.
“Është e dhimbshme të dish që njerëzit në vend se të japin dashuri dhe përkrahje, të nënvlerësojnë në mënyrat më të ulëta. E sidomos ne që jemi femra nuk është aspak e lehtë të paragjykohesh dhe të ofendohesh në gjuhë të vrazhdë që disa njerëz e përdorin”, shprehet ajo.
Megjithëkëtë, ajo thotë se ka karakter të fortë dhe nuk e pranoi energjinë negative po ashtu asnjëherë nuk preferoi t’i replikonte atyre.
“Me dashurinë e madhe që e kam për këtë fushë, kam qenë e mbushur me ndjenja pozitive dhe qëndrimin e sigurt të pathyeshem, duke e pasur parasysh që asgjë që kam shfaqur në Tiktok nuk ka qenë e gabueshme apo për t’u gjykuar. Kam qenë e pastër në këtë aspekt ndoshta kjo është edhe arsyeja pse nuk i kam marr parasysh njerëzit çka mund të flasin. Përpos ëndrrave që kisha, e dija, që mundem me qenë edhe insipirim i shumë vajzave shqiptare”, tha Rrmoku.
Ajo tregon se edhe atëherë kur të tjerët tregoheshin të ashpër me të, vazhdonte t’i thoshte vetes që ajo dhe puna që bën janë të mrekullueshme, dhe masa tjetër nuk ka rëndësi.
“Me kohë e kuptuan që nuk po kanë mundësi të më thyejnë shpirtërisht edhe hoqën dorë. Momentalisht jam në gjendje shumë të mirë emocionale“, thekson ajo.
Për këtë fenomen prezent në Kosovë, fajëson burrat.
“Gjuha e urrejtjes mendoj fillimisht ka lindur prej periudhave kur femrat i janë nënshtruar meshkujve. Kanë qenë skllave të gjithë familjes, janë detyruar gjithmonë t’i japin të gjitha që t‘i përshtaten ambientit. Tani për meshkujt është e papranueshme që një femër mundet me qenë më e suksesshme se ata. Nuk munden ta përballojnë faktin që ne si natyrë jemi krijuar me qenë të fuqishme si për shtëpi, familje, fëmijë por edhe për punë njëkohësisht. Kohën e fundit kjo situatë ka ndryshuar dhe meshkujt po e shohin si pasiguri, dobësi dhe mandej po sulmojnë“, deklaroi ajo.
Ajo shpreson që gjërat të ndryshojnë dhe urrejtja të zëvendësohet me dashuri e përkrahje për njëri-tjetrin.
Humbja e vetëbesimit dhe thyerja emocionale janë dy nga pasojat..”
Disa të rinj zgjedhin eksperienca televizive të ndryshme për pikënisje të karrierës së tyre. Por pjesëmarrja e Leart Halilit në një talent-show nuk ishte mirëpritur edhe aq mirë.
Ai rrëfen kjo përvojë ishte e trishtë për të.
“Pa dyshim që përjetimi i një eksperience të tillë me komente të cilat kanë përmbajtje të gjuhës së urrejtjes shpie tek shumë polemika në mendimet e një individi. Humbja e vetëbesimit dhe thyerja emocionale janë dy nga pasojat që unë do i vëja në pah“, tha ai.
Përpos këtyre, ai përmend edhe një brengë tjetër, që në atë periudhë e kishte rënduar.
“Duke marrë parasysh faktin që gjatë asaj kohe kam qenë një adoleshent mbase më ka penalizuar që shumë gjëra mos të bëja njëjtë si bashkëmoshatarët e mi, por do thoja që brenga e cila më mërziste apo shqetësonte më shumë ishte rrëmbimi i mundësisë për të lënë një përshtypje të parë tek njerëzit pasi që përshtypja vetëm se ishte e krijuar nga gama e rrjeteve sociale“, thotë Halili.
Më tej, tregon se si e kishte kaluar këtë ngjarje të krijuar.
“Nuk është se kam ndërmarrë ndonjë veprim i cili ka pasur të bëj saktësisht me tejkalimin e kësaj situate, thjesht kam vazhduar të bëj gjerat ashtu siç i kam bërë gjithmonë dhe kam provuar që të mos e mbaj mendjen e fokusuar tek kjo situatë, gjithmonë duke provuar që të jem i shoqëruar nga persona të afërt dhe që më bënin të ndihesha mirë për atë që jam“, thekson Halili.
Bazuar në përvojën e tij, ai shpreh mendimin, pse kjo dukuri është në rritje.
“Ajo çfarë ndikon përgjithësisht në rritjen e këtij fenomeni është mungesa e shtjellimit profesional të parandalimit ndaj fenomeneve diskriminuese nga ana e institucioneve arsimore dhe organeve të drejtësisë“, tha ai.
Komentuesit tanë duhet të kuptojnë përgjegjësit e tyre juridike dhe morale
Gjithashtu, eksperti i rrjeteve sociale, Mentor Hoxhaj, thotë se në Kosovë ka një tendencë të shtuar të gjuhës së urrejtjes sidomos në temat politike dhe ato fetare.
Ai tregon se për këtë dukuri nuk ka ndëshkim në aspektin ligjor por, vetëm rrjetet sociale ndërmarrin masat e tyre kur raportohet gjuha e urrejtjes.
Njohësi i këtyre rrjeteve, shprehet se është mjaft shqetësuese kur personat me profilet e tyre shprehin gjuhën e urrejtjes të cilët thotë se janë të bindur se kanë të drejtë.
Hapja e llogarive false është një dukuri që e hasim sidomos gjatë procesit zgjedhor të cilat përdoren për të etiketuar apo linçuar kundër kandidatët politik”, tregon Hoxhaj.
Ai thotë se kjo gjuhë është lehtë e identifikueshme dhe rrallë ajo kamuflohet pas shprehjeve të bukura.
Sipas tij, komentuesit duhet të kenë parasysh një gjë.
“Komentuesit tanë duhet të kuptojnë përgjegjësit e tyre juridike dhe morale, dhe ti përmbahen një kodi etik te thjeshtë ‘mos të shkruajnë komentet, të cilat nuk do dëshironin ti lexonin në postimet e tyre’”, tha ai.
Çfarë mllefi mund të kenë komentuesit me një person që nuk e njohin?
Zana Avdiu, aktiviste për të drejtat e njeriut, tregon se komente që nxisin urrejtje mund të lexosh pothuajse në secilin lajm.
Por sipas saj, ato dominojnë në lajmet ku flitet per dhunën ndaj grave, qoftë fizike ose seksuale, për komunitetin LGBT, dhe zakonisht në ndonjë tekst ku flitet për çështje religjioze.
Aktivistja, shprehet se komentuesit që nxisin urrejtje, janë me profile reale por edhe të rrejshme.
“Një dallim që mund ta bëj, është se zakonisht ata që bëjnë komente që nxisin urrejtje nëpër portale apo faqe të ndryshme, në shumicë janë me profile reale, sepse nuk frikësohen se dikush i ndjek, për ato komente. Ose edhe më keq, as nuk e kuptojnë që nxitja e urrejtjës është vepër e dënueshme. Krejt ndryshe nga ata që të dërgojnë mesazhe në privat, ku shumica janë me profile të rrejshme“, shtoi ajo.
Personave të tillë ajo thotë se asnjëherë nuk iu është përgjigjur.
Avdiu, i përcjellë të gjitha komentet, për të gjitha kategoritë e lajmeve, në mënyrë që ta sheh nga afër, se cilat janë qëndrimet e qytetarëve, për tema të ndryshme.
Më tej, ajo përmend arsyet se pse njerëzit shprehen në këtë mënyrë.
Fillimisht duhet ta themi që rrjetet sociale, nuk e kanë krijuar gjuhën e urrejtjës, por vetëm e kanë shpërfaqë atë. Një nga arsyet është se nuk e kanë frikën se do të përballen me ligjin. Pastaj, nuk është mllef, por është mendësi e shoqërisë. P.sh, nëse bëhet lajm lidhja romantike jokonvencionale e një gruaje, komentet për këtë lloj lajmi janë të mbushura me nxitje të urrejtjës. Çfarë mllefi mund të kenë komentuesit me një person që nuk e njohin? Por, megjithatë komentojnë dhe e linçojnë”, theksoi ajo.
Në një përgjigje, nga Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës, kanë deklaruar se në bazë të nenit 141 ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’ për vitin 2021 janë gjithsej 22 raste.
Sipas të dhënave nga ata, këto deklarime janë të përgjithshme dhe jo vetëm për mediat sociale.
Kurse për vitin 2022 nuk ka akoma ndonjë rast.
Avokati, Urim Pozhegu, tregon se ata të cilët përdorin këtë fenomen mund të mos e dinë që kanë mundësi të përballen me ligjin.
Personat të cilët përdorin gjuhën e urrejtjes, fatkeqësisht në mungesë të njohurive si pasojë e mosnjohjes së legjislacionit, edhe mund të mos jenë në dijeni të pasojave ligjorë të parapara me ligjet pozitive të vendit dhe me dispozitat me Kodin Penal të Republikës së Kosovës“, tha ai.
Si avokat, deri më tani nuk ka pasur ndonjë çështje penale që ka të bëjë me vepra të kësaj natyre. Por, thotë se nga ato që ka dijeni, kjo dukuri është e shprehur më shumë të mosha e re dhe e mesme.
Sipas Pozhegut, arsyjet që njerëzit komentojnë duke e përdorë këtë gjuhë  tregon se mund të jenë nga më të ndryshmet, si: fetare, racore, ndëretnike, orientimeve seksuale, etj.
Ai shton se ndëshkimet për këtë çështje varen nga rrethanat specifike të secilit rast në veçanti dhe duhet të jenë brenda kornizave ligjore të parapara me ligj.
Ndërkaq Ilaz Hajra, është student në master, drejtimi Këshillim Pedagogjik.
Ai thotë se komentet me gjuhë të urrejtjes që i janë bërë në profilin e tij, i ka marr vetëm si një mendim që tjetri e ka.
Hajra, tha se kryesisht njerëzit janë të prirur të përdorin gjuhën urryese për çështje krizash. Meqë, rrjetet sociale janë fushëveprimtari për njerëz të ndryshëm, ka hapësirë për këdo për shprehjen e mendimit.
“Ky diversitet karakteresh, mendimesh, veprimesh, pikëpamjesh… vie deri te shpërfaqja e brendisë, shtoja kësaj lehtësisë së shprehjes dhe shfaqjes. Duhet ta kuptojmë se, shprehja e shfaqja është nevojë e brendshme e njeriut, si e tillë duhet të mirëkuptohet, thënë ndryshe të merret si e mirëqenë“, tha studenti.
Sipas tij, nisur nga ky këndvështrim e kuptojmë që, kushdo që shkruan me gjuhën e urrejtjes në botën virtuale, i tillë është edhe në botën reale. Pra, vetëm dëshmon për formimin e tij si individ. Kështu që, “ka të drejtë” të përdorë gjuhën e urrejtjes çdonjëri që mendon të urrej ose urrejtja është brenda tij.
Ai shtoi se të gjithë kanë të drejtë të pranojnë ata që dojnë brenda shoqërisë së tyre virtuale, ta ndjekin këdo, t’ia bëjnë bllok kujtdo.
“Sipas mendimit tim, secili duhet të jetë përgjegjës për veten e tij, kështu që njerëzit duhet t’i pranojmë ashtu siç janë, (mos)pëlqimi është çështje shije e bindje më pas. Bota virtuale ofron një sërë reagimesh të cilat mundësojnë (mos)mendimin tonë kundruall (mos)mendimit të tjetrit, këto janë të disponueshme për shfrytëzim. Ndaj, duhet ta kuptojmë që “urrejtja” është term goxha relativ e subjektiv, njëherit dhe i pranishëm te të gjitha shoqëritë“, tha ai.
Sipas Hajrës, janë dy problematika. E para është nocioni urrejtje në vetveten e saj, dhe e dyta interpretimi relativ i subjekteve karshi përkufizimit të saj.
Një organizatë jofitimprurëse e cila ka kontribuuar për këtë aspekt është Qendra për Studime të Avancuara FIT e cila u krijua më 1 dhjetor 2011.
Ata numërojnë qëllimet që ka kjo qendër.
“Misioni i organizatës është përmirësimi i pozitës së grupeve më të ndjeshme të shoqërisë përmes hulumtimit, avokimit, edukimit dhe ndërgjegjësimit. Grupet kryesore të synuara të Qendrës FIT përfshijnë fëmijët, të rinjtë, studentët, të moshuarit, gratë, të papunët”, treguan ata.
Sipas tyre, FIT është organizata kryesore për promovimin e përdorimit të sigurt dhe të përgjegjshëm të internetit në mesin e fëmijëve dhe studentëve në Kosovë.
Gjatë një periudhe prej tetë vitesh ata thonë se kanë trajnuar më shumë se 30 mijë nxënës për përdorim më të sigurt të internetit, afërsisht 4 mijë prindër dhe 4 mijë mësimdhënës.
Sa i përket gjuhës së urrejtjes, Qendra FIT ka organizuar shumë aktivitete në gjithë territorin e Kosovës: trajnime, workshope, ligjërata, broshura.
Së fundmi, kanë krijuar edhe një platformë të veçantë, të dedikuar ekstra për kurse online për këtë temë. Kjo ndihmon pjesëmarrësit të pajisen me njohuri rreth çështjeve kritike në lidhje me gjuhën e urrejtjes, me shkaqet, me pasojat dhe mënyrave për trajtimin e saj.
Ndërsa sipas disa përgjigjeve të qytetarëve nga një anketë që ishin 101 respodentë, 72% kanë qenë të gjinisë femërore ndërsa 28 % të gjinisë mashkullore. Prej tyre 85% janë të moshës 18-25-vjeç, 10% janë 25-35-vjeç, dhe 5% janë mbi 35.
Në pyetjen e shtruar “Cilin rrjet social e përdorni më së shpeshti?”, ka rezultuar se 50.5% e përdorin Instagram-in, 27.7% Facebook-un dhe me nga 10.9% janë përgjigjur TikTok dhe të tjera.
Nga të anketuarit, 82 prej tyre kanë shkruar se e kuptojnë termin gjuhë e urrejtjes, 11 të tjerë janë përgjigjur se nuk e dinë, 6 të tjerë me jo, dhe 2 opsione të tjera.
Edhe pse 99 persona u përgjigjën se e kuptojnë këtë term, vetëm 63 prej tyre kanë treguar se si e kuptojnë.
52% kanë treguar se nuk komentojnë në përmbajtjet që i lexojnë, 34% janë përgjigjur rrallë, 14% me po.
Këta persona kanë thënë se 57% e tyre nuk kanë pasur komente negative, 24% kanë thënë nganjëherë, 18% me po, dhe prej tyre 1% marr shpesh komente me gjuhë të urrejtjes.
Tutje, 35.1 % të tyre këto komente nuk i kanë bërë përshtypje, 27.8% i kanë bërë të ndjehen keq, 25.8% të tjera nuk kanë treguar për ndikimin dhe 11.3% shumë keq.
Pastaj, në pyetjën se “A iu keni përgjigjur komentuesve? Nëse po, në çfarë forme?”, kanë treguar se 65.6% nuk janë përgjigjur fare, 24.7 % i kanë fshirë komentet, 22.6% kanë replikuar me edukatë, 4.3% i kanë kthyer në të njëjtën mënyrë si dhe 1.1 % janë përgjigjur vetëm me emoji.
Kur ata kanë qenë të nevrikosur, 61% kanë treguar se nuk janë shprehur me gjuhë të urrejtjes ndaj të tjerëve, kurse 16 % kanë thënë se varet nga situata, 12% ndonjëherë, 6% me po, dhe 5% me opsionin rrallë.
Në Facebook 72.7 % e tyre, kanë lexuar komente me gjuhë të urrejtjes më së shumti, 32.3% në Instagram, 29.3% në TikTok, dhe 5.1% kanë lexuar në rrjete të tjera sociale.
Ata kanë treguar se 67% e profileve që komentojnë me këtë gjuhë janë profile false ndërsa 34% reale, dhe 19% nuk e dinë.
Përhapja e gjuhës së urrejtjes është e ndaluar me nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës.
 

*Studente – Departamenti i Gazetaris Fakulteti i Filologjisë, Universiteti Prishtinës “Hasan Prishtina”

Back to top button