Gjukanoviç fiton shumicën e vendeve në parlament, shqiptarët me 2 deputetë

 

Partia Demokratike e Socialistëve në pushtet, DPS dhe koalicioni kryesor opozitar insistojnë se fituan zgjedhjet e së dielës pasi secili fitoi një numër të ngjashëm vendesh.

Vendvotimet për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, si dhe për zgjedhjet lokale në pesë komuna të këtij shteti, u mbyllën të dielën në orën 20:00.

Me 87.3 përqind të votave të numëruara në zgjedhjet e përgjithshme, Partia Demokratike e Socialistëve e Milo Gjukanoviç, PDS, ka fituar 34.8 përqind të votave të hedhura, ose 29 vende në parlamentin me 81 vende të Malit të Zi.

Aleanca për të Ardhmen e Malit të Zi fitoi 32.8 përqind të votave, ose 27 vende. Një koalicion tjetër i opozitës, “Paqja është Kombi ynë”, fitoi 12.5 përqind të votave.

Sakaq shqiptarët kanë siguruar dy deputetë, me nga 1 deputet secili koalicion.

Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi kanë votuar 75.9 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, përkatësisht 409,880 votues, njoftoi organizata joqeveritare Qendra për Tranzicionin Demokratik.

Në zgjedhjet paraprake të 2016-ës në Mal të Zi pjesëmarrja ka qenë 73.4 për qind, ndërsa në ato të 2012-ës kanë votuar 70.6 për qind e qytetarëve./oranews

Back to top button