Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka takuar sot kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin ka biseduar për Kodin Civil, policinë komunale dhe krijimin e Gjykatës Komerciale.

I pari i Prishtinës kërkoi që sa më parë të përpilohet legjislacioni sekondar për policinë e kryeqytetit.

Ndërsa ministri Selimi ofroi të gjitha kapacitetet e ministrisë që ai drejton për krijimin sa më parë të legjislacionit sekondar për policinë e Prishtinës.

Ai ka bërë të ditur se janë në përfundim të krijimit të Gjykatës Komerciale e cila pritet të jetë gati deri në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.

Gjykata Komerciale është shumë e rëndësishme për Kosovën pasi ajo do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore, por edhe për investitorët e huaj.

Në sistemin e mëhershëm të para viteve ’99, Kosova i ka pasur dy Gjykata Ekonomike, atë të Pejës dhe të Gjakovës. Ndërsa sot, Kosova ka një departament në Gjykatën Themelore që i ka pesë gjyqtarë që merren me çështjet ekonomike dhe një gjyqtar në Apel./kp