Gjykata Kushtetuese shkarkon dhe dërgon në Prokurori sekretarin Milot Vokshi

Gjykata Kushtetuese me 4 nëntor të këtij viti, ka shkarkuar nga pozita Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës, Milot Vokshin.
Në arsyetimin e dhënë, Gjykata Kushtetuese ka thënë se Vokshi është shkarkuar ndër të tjerash, për mospërmbushje të detyrave të punës, të përcaktuara me ligjet dhe rregullativën e aplikueshme.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se rastin e Vokshit e ka dërguar në Prokurori, nën dyshimin për vepra të mundshme penale.
“Gjykata ka njoftuar menjëherë Prokurorinë përkatëse lidhur me vendimin për shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm, pa paragjykim lidhur me ekzistimin apo jo të elementeve të mundshme të veprave penale. Gjykata ka shprehur gatishmërinë e plotë që të bashkëpunojë me Prokurorinë nëse e njëjta vlerëson se ky është rasti”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.
Në anën tjetër, Vokshi ka thënë se nuk ka asnjë bazë dhe arsye për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.
Ai ka thënë se arsyetimi në vendimin për shkarkim, thuhet se është për shkak të raportit të auditorit, ndërsa pretendon se shkarkimi ka të bëjë me çështje personale.
“Asnjë arsye nuk është hiq, do të thotë është komplet personale kjo punë, për shkak se nuk iu kam pëlqy që kam punu mirë në Gjykatë që 13 vite. Në arsyetim të vendimit për shkarkim përmenden disa auditime të brendshme, edhe të jashtme, të cilat asnjëra nuk është bazë për shkarkimin e një sekretari. Asnjë keqpërdorim në Gjykatë nuk e ke, mundeni me këqyr raportet e auditorëve, edhe e shihni se çfarë vlerësime është Auditori i jashtëm për 2021. Është me notën më të mirën, dy rekomandime apo dy të gjetura janë në të cilat asnjë bazë nuk është për me dashtë me e shkarku një sekretar”, ka thënë Vokshi.
Ai ka thënë se raporti i tij i punës për 2021 dhe plani për 2022 është votuar në mënyrë unanime në seancën administrative, por që sipas tij, kjo nuk është marrë parasysh.
“Së pari duhet me pas vërejte me shkrim, vërejtje gojore, vërejtje me shkrim, suspendim e mandej mundet me ardhë të shkarkimi. Shkarkimi është shkalla e fundit e procedurës”, ka thënë Vokshi.
Kallxo. com ka bërë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare në Gjykatën Kushtetuese, për të parë vendimin për shkarkimin e Milot Vokshit nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, por Gjykata ka refuzuar kërkesën për qasje, nën arsyetimin se ‘mund të dëmtojë hetimet’.
“Duke vlerësuar testin e dëmit në raport me interesin publik, përkitazi me bazat e lejueshme për refuzimin e qasjes në dokumente publike, sipas nën paragrafit 2.3 ‘parandalimit, hetimit dhe ndjekës së veprave penale në rastet kur publikimi i dokumenteve publike mund të dëmtojë procesin e hetimit’.., kërkesa juaj për qasje në Vendimin në fjale, në këtë moment, refuzohet” , thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.
Ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm është caktuar drejtori i Zyrës për Media të Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula./kallxo

Back to top button