Gjykata Speciale refuzon kërkesën e Thaçit për mbrojtje në liri

2 min read

Gjykata Speciale në Hagë ka refuzuar kërkesën e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për mbrojtje në liri. Sipas dokumentit të publikuar, gjyqtari i procedurës paraprake ka refuzuar mocionet e dorëzuara nga mbrojtja e Thaçit.

Në vendim, gjyqtari ka kërkuar nga mbrojtja e Thaçit që kërkesat për rishikim tjetër të paraburgimit të dërgohen jo më vonë se 31 gusht të këtij viti.

“Nëse Thaçi vendosë të mos paraqesë asnjë parashtresë deri në afatin e lartpërmendur, të paraqesë parashtresën e radhës të paraburgimit jo më vonë se deri më 6 shtator 2021 dhe nëse Thaçi dëshiron ta bëjë këtë, ta paraqesë kërkesën jo më vonë se deri më 16 shtator 2021”, thuhet në Dispozitën e vendimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë. Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë. Ata po akuzohen se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Jack Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin se ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre./kallxo