Gjyqtari dhe polici nga arresti shtëpiak në paraburgim
4 Tetor 2019
Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale
Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale
Gjykata e Apelit ua ka caktuar masën e paraburgimit, dy të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Masa e paraburgimit prej një muaji, të pandehurve me inicialet R.I dhe B.G, e cila sipas aktvendimit të kësaj gjykate, do t’iu llogaritet nga data 26.09.2019 deri me datë 26.10.2019.
Në këtë mënyrë, Gjykata e Apelit, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale, kundër aktvendimit të Gjykatë Themelore në Prishtinë, të datës 27.09.2019, sipas të cilit, të pandehurve në fjalë, u ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.
R.I dyshohet se në cilësi të personit zyrtar, konkretisht gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e ka kryer veprën penale ”Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”. Ndërsa B.G., në cilësi të pjesëtarit të policisë, i ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë”.
“Gjykata e Apelit, pasi i ka vlerësuar të gjitha rrethanat, konsideron se gjykata e shkallës së parë, nuk ka vepruar drejtë kur të dyshuarve ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, duke mos arsyetuar shkaqet që kanë sjell deri te marrja e një vendimi të tillë. Apeli vlerëson se në rastin konkret, janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore, për caktimin e paraburgimit konform dispozitave te nenin 187, paragrafi 1, nënparagrafi 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 e Kodit të Procedurës Penale”, thuhet tutje në njoftim.
Policia e Kosovës konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), më 26 shtator kishin arrestuar një gjyqtar dhe një zyrtar policor të dyshuar për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti” dhe “ushtrim i ndikimit”./21Media