Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden, ka të ngjarë të marrë përgjegjësinë në një kohë kur pandemia e koronavirusit është në kulmin e saj, tha sot për CBS News, Scott Gottlieb, ish-komisionar i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave.

Joe Biden do të marrë detyrën më 20 janar 2021 dhe Gottlieb thotë se deri atëherë ‘me siguri se SHBA do të jenë në kulmin e pandemisë me koronavirus’.

Sipas tij, numri i rasteve të reja me koronavirus do të fillojë të bie në janar, por çështja kryesore mbetet numri i viktimave dhe rasteve të reja deri atëherë.

“Mendoj se 2021 do të jetë shumë më mirë se ky vit, por ju prapë duhet të siguroheni të keni furnizime adekuate ndërsa ulet kurba dhe shkon drejt vjeshtës”, tha ai.

Biden ka premtuar të mbajë një qëndrim shumë më agresiv sesa Donald Trump në trajtimin e pandemisë.

Ai sot njoftoi hapat e parë në planin e tij të tranzicionit dhe ekipi i tij tha se do të kishte më shumë teste dhe amerikanëve do t’u kërkohej të mbanin maska.